EULEX: 23 xhandarë italianë erdhën për ta mbështetur Policinë e Kosovës, nëse është nevoja

EULEX: 23 xhandarë italianë erdhën për ta mbështetur Policinë e Kosovës, nëse është nevoja

Aktuale November 09, 2022 - 09:44

Më 8 nëntor, një Njësi Policore e Specializuar Rezervë (NJPSR), e përbërë nga 23 xhandarë nga karabinierët italianë dhe anëtarë të Forcës së Xhandarmërisë Evropiane (EUROGENDFOR), u zbarkua përkohësisht në Kosovë për t’i përforcuar kapacitetet e Njësisë Policore të Specializuar (NJPS) ekzistuese të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

EULEX-i sot ka njoftuar se NJPSR-ja u dislokua në Kosovë si përgjigje ndaj nevojës së Misionit për të pasur forca shtesë në terren dhe për t’i mbështetur më mirë homologët kosovarë, nëse kjo kërkohet dhe nëse është e nevojshme.

“NJPS-ja e rregullt e EULEX-it, e përbërë nga 105 policë polakë, është e stacionuar në Mitrovicë dhe është reaguesi i dytë i sigurisë në Kosovë, që është pjesë përbërëse e mekanizmit me tri nivele të reaguesve të sigurisë, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti kurse NATO/KFOR-i i treti.

NJPSR-ja e sapozbarkuar aktualisht përbëhet nga 23 xhandarë nga karabinierët italianë dhe është e vendosur në Kompleksin Mbështetës të EULEX-it në Fushë-Kosovë. NJPSR-ja është nën komandën e EULEX-it dhe do ta mbështesë Misionin në përmbushjen e detyrave të tij, përfshirë ato si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë nëse është e nevojshme”, thuhet në njoftim.

Tutje, thuhet se siguria e grave, burrave, vajzave dhe djemve nga të gjitha komunitetet në Kosovë është prioriteti kryesor i EULEX-it dhe zbarkimi i Njësisë Policore të Specializuar Rezervë e tregon vendosmërinë e EULEX-it që të vazhdojë ta mbështesë stabilitetin e Kosovës dhe të kontribuojë në sigurinë e popullatës së saj.

Kjo është hera e dytë që një NJPSR zbarkohet në Kosovë: në mars 2022, EULEX-i e përforcoi përkohësisht NJPS-në e tij me një Njësi Rezervë prej 70 xhandarësh nga Portugalia dhe Franca. Xhandarët u larguan nga Kosova më 18 korrik . /Zëri