Përgjatë rrugëve të veriut

Përgjatë rrugëve të veriut

Aktuale November 08, 2022 - 21:44

Banorët serbë atje nuk po pajtohen me vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave. Madje edhe një veturë me targa RKS është raportuar e djegur.

Nuk vërehen forca të shtuara të sigurisë. Edhe pjesëtarët e Policisë nga komuniteti serb nuk është se u panë duke dorëzuar detyrën, ngase shumica e kanë bërë dje.

“Të martën në stacionin policor në Veri të Mitrovicës për dallim prej ditëve të tjera nuk janë parë policë te komunitetit serb duke i dorëzuar pajisjet e tyre. Megjithatë, sipas informacioneve të RTK-së brenda policisë në këtë stacion, sot deri në orët e pasdites në këtë stacion i kanë dorëzuar vetëm dy policë paisjet e tyre, ndërkohë që numri total deri më tani që kane dorëzuar detyrën është 170. Krejt ky largim i policëve, por edhe katër kryetarëve të komunave veriore, gjyqtar e prokuror ka ardhur si shkas i pakënaqësisë ndaj vendimit të Qeverisë së Republikës për ritegjistrimin e veturave me targa ilegale serbe në targa të Republikës së Kosovës”.

Në këtë stacion policor të Mitrovicës së Veriut kanë mbetur vetëm policët shqiptarë. Në të njëjtën situatë është edhe Gjykata Themelore përballë këtij organi të sigurisë. Pak metra më tutje dyert e komunës së Zveçanit ishin hapur. Pavarësisht asaj se kryetari i kësaj komune ka dhënë dorëheqje sikurse edhe tre kryetarët tjetër të komunave veriore, qytetarët serbë po i marrin shërbimet komunale.

Jo shumë larg nga këtu vërehen disa pjesëtar të KFOR-it britanik. Për situatën e sigurisë po kujdeset policia e Kosovës. Prezenca më e madhe e tyre vërehet në rrugën që shpie në pikëkalimin kufitar në Jarinjë. Në hyrje të kësaj rruge qëndrojnë gjatë gjithë kohës policët e Kosovës.

Tutje vërehet prezenca e pjesëtarëve të KFOR-it gjerman.E pak para kufirit në Jarinjë, për mbarëvajtjen e sigurisë kujdeset Njësia Speciale e Kosovës. Puna në këtë kufi vazhdonte të kryhet si zakonisht.

Por, pavarësisht asaj se policët serbë e kanë dorëzuar detyrën, doganierët nga ky komunitet vazhdojnë punën në këtë pikë kufitare. E njëjta situatë është edhe në anën tjetër të pjesës veriore në Bërnjak. /rtklive