Osmani i kërkon KQZ-së zëvendësimin e deputetëve pas largimit të Listës Serbe nga Kuvendi
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), që të plotësojë vendet e lira në Kuvendin e Kosovës pas largimit të Grupit Parlamentar të Listës Serbe.
Këtë e ka konfirmuar për “Zeri.info”, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Mund t’iu konfirmoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar kërkesën nga Presidentja e Republikës së Kosovës për të rekomanduar emrat e personave të ligjshëm të radhës për të plotësuar vendet e lira në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka treguar Elezi.
Sipas tij, KQZ-ja ka afat prej pesë ditësh që të përgatis rekomandimin.
“Duke u mbështetur në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përgatisë rekomandimin brenda afatit ligjor prej 5 ditësh pune nga momenti i marrjes së kërkesës”, ka sqaruar Elezi.
Theksojmë se deputetët e Listës Serbe gjatë së hënës kanë dhënë dorëheqje nga mandati i tyre në Kuvendin e Kosovës. /Zeri.info/