Berisha për situatën në Kosovë: Putini i vogël, i gatshëm për aventurë të re

Berisha për situatën në Kosovë: Putini i vogël, i gatshëm për aventurë të re

Aktuale November 08, 2022 - 14:49

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shprehur solidaritetin me Kosovën për situatën që po ndodh gjatë ditëve të fundit, ku serbët në shtetin e Kosovës janë larguar nga institucionet.

Gjatë fjalës së tij, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, Berisha akuzoi presidentin rus Vladimir Putin dhe atë serb Aleksandar Vuçiq se kërkojnë konflikt të ri në Ballkan dhe synojnë të destabilizojnë Kosovën.

“Ky është një moment jo i lehtë për Kosovën, ndaj dhe unë dua t’ua shpreh solidaritetin tim qytetarëve të Kosovës dhe të dënoj me forcën më të madhe ndërhyrjen e Kremlinit dhe Beogradit në punët e brendshme të Kosovës. E gjitha kjo që ndodh është përpjekje e Vuçiqit për të mbajtur shtetin serb në Kosovë. Ai nuk e fsheh këtë.

Përshëndes me këtë rast qëndrimin e vendosur të NATO-s në mbrojtje të stabilitetit të Kosovës. Sepse Putini dhe Putini i vogël Vuçiqi janë të gatshëm të ndërmarrin një aventurë të re, Serbia e mban konfliktin të varur në gozhdë për ta ndërmarrë kur të gjykojë ajo. Por paralajmërimet ultimative të NATO-s, uroj që të mos imagjinoj asnjë lloj përpjekjeje për destabilizim në Kosovë, pasi ndëshkimi do të jetë shumë i rëndë”, deklaroi Berisha. /tvklan.al