“Nëse s’nënshkruan të djegin makinën”: Rrëfimet e të dorëhequrve nga institucionet e Kosovës
Një punonjëse e Gjykatës Themelore në Mitrovicë thotë se është detyruar të japë dorëheqje pas 20 vjetësh shërbim, pasi më 5 nëntor, në një takim me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, është vendosur që pjesëtarët e komunitetit serb të dorëhiqen në mënyrë kolektive nga institucionet e Kosovës në veri të vendit.
Si shkak është theksuar “shkelja e të drejtave të serbëve” nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjegjësisht është kërkuar që të anulohet vendimi për riregjistrimin e automjeteve me targat e lëshuara nga Serbia dhe që kanë akronimet e qyteteve në Kosovë, si dhe të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
“Askush nuk ka asnjë plan se si të rregullohet kjo. Vetëm thanë ‘ejani nënshkruani dorëheqjet’, të cilat ne u desh t’i firmosnim. Pavarësisht se ata thonë se kjo ka qenë vullnetarisht, nuk ka qenë fare vullnetarisht”, dëshmon punonjësja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, e cila pranoi të flasë vetëm në kushte anonimiteti.
Gjyqësori është integruar në sistemin e Kosovës në vitin 2017, në bazë të Marrëveshjes së Brukselit të arritur në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Megjithatë, më 7 nëntor, gjyqtarët dhe punonjësit administrativë serbë u dorëhoqën zyrtarisht nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.
“Ata të gjithë thonë ‘nuk e ke me detyrim’, por ti e di se detyrohesh. Nëse nuk nënshkruan, do të t’i vënë zjarrin makinës ose mund të të bëjnë çdo gjë”, thotë e intervistuara nga REL-i.
Policia e Kosovës, në dy muajt e fundit ka regjistruar pesë raste të djegies së pronës së personave, të cilët kanë vendosur të zëvendësojnë targat KM (Mitrovicë e Kosovës) me targa RKS (Republika e Kosovës), gjë të cilën autoritetet e Kosovës e karakterizojnë si “kanosje”. E fundit ka ndodhur më 8 nëntor në Zveçan.
“Mezi presim të kthehemi”
Një punëtore tjetër në një institucion të Kosovës në veri, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë deklaron se nuk e ka braktisur me vullnet vendin e punës. Identiteti i saj është i njohur për REL-in, por nuk bëhet i ditur, sepse edhe ajo ka insistuar që të mbetet anonime.
Ajo thotë se “të gjithë i luten Zotit që situata të rregullohet dhe të kthehen në punë”.
“A thua a ka njeri që mendon ndryshe”, pyet ajo.
Të njëjtën gjë dëshmon edhe një punonjës i njërës prej komunave veriore. Ai thekson se nuk guxojnë të flasin publikisht për “padrejtësinë” që u është bërë.
“Për këtë vetëm pëshpëritet. Në kafene pëshpëritet për këtë dhe nuk mund të flasësh diku publikisht për këtë gjë... vetëm me dikë që e njeh dhe që sigurohesh që askush mos të të shohë”, thotë ai.
Krahas punonjësve të Gjyqësorit, dorëheqjet i kanë dorëzuar edhe kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, punëtorë komunalë dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb.
"Ndarja emocionale"
Juristi Marko Jakshiq, i cili deri më 7 nëntor ishte punonjës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, i tha Radios Evropa e Lirë se dorëheqja nga puna ishte shumë emocionale dhe se të gjithë në atë institucion gjyqësor kanë bashkëpunuar, pavarësisht përkatësisë etnike.
“Së bashku e ndërtuam atë gjykatë për të mirën e të gjithë qytetarëve të këtij rajoni, shqiptarëve, serbëve, por edhe të gjithë të tjerëve”, tha ai dhe shtoi se “vendimet e gabuara” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti “sollën deri aty që njerëzit të qajnë me lot si shiu, pa marrë parasysh se cilës përkatësi etnike i takojnë”.
Ai theksoi se punonjësit e gjykatës do të mbeten miq mes vete, pavarësisht situatës politike.
“Ata nuk janë grindur me njëri-tjetrin, por janë ata që ishin të premten - kolegë dhe miq. Të tillë do të mbeten”, tha Jakshiqi dhe shtoi se beson që nuk do të mbeten pa të ardhura.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni KETU