La mandatin, zbardhet letra e Grida Dumës

La mandatin, zbardhet letra e Grida Dumës

Aktuale November 08, 2022 - 13:55

Grida Duma ka hequr dorë nga mandati i deputetes së fituar në zgjedhjet e 25 prillit të 2021.

Lajmin e konfirmoi vetë ajo përmes një konference për shtyp nga kryesia e Kuvendit.

“Mendoj se fatet personale duhet të konsiderohen kur shkojnë në një kah me fatet e njerëzve që përfaqësojmë. Më e thjeshta për mua do të ishte të kisha qëndruar, të prisja të ndodhin dështimet që disa i parashikojnë, të vegjetoja, të bëja sikur nuk i shihja problemet e brendshme. Por, unë nuk i jam larguar kurrë përgjegjësisë”, tha Duma në një konferencë për shtyp.

Përpara se të dilte në një konferencë për shtyp, Duma përmes një letre ka njoftuar për vendimin që ka marrë kryetaren e Parlamentit Lindita Nikollës dhe kryetarin e grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj.

Letra

Ju drejtohet me këtë shkresë në mënyrë që, në cilësinë e detyrës dhe pozicionit Tuaj, të kryeni hapat formalë që pasojnë lënien apo dorëzimin e vullnetshëm të mandatit tim si deputete e Kuvendit të Shqipërisë, Partia Demokratike, Qarku Tiranë.

Vendimi për lënien apo dorëzimin e mandatit të deputetes, mbështetet në vullnetin tim të lirë e të plotë, bazuar në bindjen dhe arsyetimin tim se si duhet përmbushur misioni i përfaqësimit të votuesit.

Për rrjedhojë, nga dita e sotme që mban datën e shënuar në këtë shkresë, ju dorëzoj mandatin e deputetit.