Zhvillimet në veri të Kosovës, Nazarko: Zëra se mund të krijohet edhe një qeveri e re me bazë të gjerë

Zhvillimet në veri të Kosovës, Nazarko: Zëra se mund të krijohet edhe një qeveri e re me bazë të gjerë

Aktuale November 08, 2022 - 13:21

Zhvillimet në veri të Kosovës dhe kriza institucionale nga largimi i Listës Serbe kanë nxjerrë në dritë skenarë të rinj për zgjidhjen e krizës atje.

Një nga këto skenarë është dhe krijimi i një qeverie të re me bazë të gjerë. Disa nga këto skenarë u zbuluan në studion e ABC Live me analistin e njohur Mentor Nazarko, i cili shpjegoi përballë gazetares Sibora Bitri që tashmë planet perëndimore për Ballkanin janë vënë në pikëpyetje.

Për analistin Nazarko mund të ketë një ngadalësim edhe të marrëveshjeve të nënshkruara në Procesin e Berlinit.

Për analistin Mentor Nazarko “gjithçka që po ndodh është një komplikim i panevojshëm, i cili mund të ishte shmangur”, por sipas tij “udhëheqësit e Ballkanit nënvlerësojnë realitetet”.

Për Nazarkon, faktori serb duhet analizuar si një faktor konstant bllokues, i cili në arenën ndërkombëtare dhe në marrëdhëniet e saj me Kosovën shfaqet ose duke bërë gjeste force ose duke u vetë-viktimizuar. Sipas tij është tashmë e ditur që Serbia e financon komunitetin serb në veri të Kosovës, iu ofron mbrojtje juridike, shëndetësore, iu jep pasaportat, e gjithë politika që duhet të bëjë Kosova është që duhet të ketë parasysh këtë realitet, të dhimbshëm por të pashmangshëm’. Gjithashtu Nazarko shtoi që “Serbia është partneri numër një tregtar i Kosovës”.

“Kosova nuk duhet t’ia kishte dhënë shkasin që të vepronte kështu, po të ndiqte këshillat e perëndimit, nuk do të kishim arritur këtu”, u shpreh Nazarko.

Për Nazarkon, në veri të Kosovës nuk duhen krijuar premisat për konflikt, mënyra sesi është zhvilluar deri tani, po krijohen premisa të tilla dhe sipas tij ndërkombëtarët janë të zhgënjyer dhe të shqetësuar nga Kurti, megjithëse kjo nuk duket në mënyrë të drejtpërdrejtë.

“Do duhet pranuar, që kjo e dobëson Kosovën përkundrejt dialogut ose raporti të saj me Serbinë, Kurti ka thënë që Serbia është kundër planit franko-gjerman, këtë nuk e ka thënë Vuçiqi, por e ka thënë Daçiqi”, tha Nazarko.

“Kosova nuk duhet t’i ofronte mundësinë Serbinë për t’u vetëviktimizuar në arenën ndërkombëtare, është saktësisht ajo që po ndodh, nuk shoh rrugëzgjidhje, nuk shohim që Kurti ka një plan tjetër alternativ për veriun. Sovraniteti, kontrolli i territorit dhe mbrojtja e Kosovës nuk është në duart e Kosovës, por është në duart e NATO-s, ti nuk mund të krijosh situata pa u konsultuar me ndërkombëtarët".

Për Nazarkon, rrëzimi i Kurtit është një nga çështjet që diskutohet në Prishtinë.

 "Zhvillimet atje analizohen njësoj si në Shqipëri, në mënyrë kasandriake, pak a shumë me atë borgjezinë kur erdhi Enveri në pushtet, që thoshin që nuk do të zgjaste shumë", tha ai

Sipas Nazarkos dhe duke përdorur fjalët e Ramës, Kurtin mund ta rrëzojë vetëm Kurti. Vetëm nëse jep ai dorëheqjen, "mund të krijohej një qeveri me bazë të gjerë, në funksion të miratimit të Planit”, tha Nazarko. /Abcnews.al