Kuvendi mban dy seanca sot, njëra e jashtëzakonshme

Kuvendi mban dy seanca sot, njëra e jashtëzakonshme

Aktuale November 08, 2022 - 08:39

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e djeshme, e drejtuar nga kryetari Glauk Konjufca, përcaktoi agjendën e punës së Kuvendit për këtë javë. Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës vendosi që, konform kërkesës së 40 deputetëve nënshkrues, sot në orën 10:00 Kuvendi të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme.

Kjo për të shqyrtuar Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë.

Ndërkaq, në bazë të vendimit paraprak të seancës plenare, po sot, në orën 11:00, Kuvendi do të mbajë seancë plenare, në të cilën pritet të shqyrtohen për herë të dytë tri projektligje: Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg dhe projektligji për mbështetjen e punëve publike, si dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për noterinë.

Ndërsa, seanca e radhës do të mbahet të enjten, më 10 nëntor. Bëhet e ditur se në mbledhjen e sotme Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj.