Nurellari, PDK: Kurti ka rënë në grackën e Vuçiqit

Nurellari, PDK: Kurti ka rënë në grackën e Vuçiqit

Aktuale November 07, 2022 - 23:04

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Adri Nurellari tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka rënë në grackën e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për çështjen e targave.Këtë deklaratë, ai e bëri teksa ishte duke folur për situatën e krijuar ditëve të fundit në veriun  vendit.

“Mendoj që kemi hyrë në një grackë dhe prandaj do të duhet të gjejmë mjete që të mos zhytemi më tutje në këtë grackë por të rehabilitojmë pozicionin tonë, ta përmirësojmë pozicionin tonë”, deklaroi ai.

Sipas Nurellarit e gjithë kjo situatë e krijuar është në dobi të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq pasi që siç thekson ai, tashmë Brukseli nuk do t’i bëjë presion Vuçiqit për të vënë sanksione për Rusinë por do t’i bëjë presion ose do t’i afrohet që të mos radikalizohet më tutje situata në veri.

“Mesa duket po sepse nga shfrytëzimi i situatës të Vuçiqit të brishtë ndërkombëtarisht dhe gjeopolitikisht, nga shfrytëzimi i situatës për të siguruar marrëveshjen më të mirë të mundshme finale. Ne faktikisht i kemi dhënë mundësi Vuçiqit të rehabilitohet dhe tashmë perëndimi, Brukseli nuk do t’i bëjë presion Vuçiqit për të vënë sanksione për Rusinë sepse nuk ka vendosur sanksione as nuk do t’i bëje presion për të siguruar marrëveshjen por do t’i bëjë presion ose do t’i afrohet që të mos radikalizohet më tutje situata në veri ose do t’i bëj presion ose do t’i kërkojë që të kthehet situata aty ku ka qenë”, tha ai.

Tutje në emisionin “ResPublika”, anëtari i kryesisë së PDK-së tha se zhvillimi i fundit i ka vënë shumë më tepër pikë Vuçiqit dhe i ka dhënë më tepër “instrumente pazari” pra ia ka përmirësuar gjendjen gjeopolitike.

“Vuçiqi tashmë ka në dorë kartën e rikthimit ose jo  në institucione të serbëve të veriut dhe kjo gjë bën që ai ta ketë përmirësuar pozicionin e tij”, shtoi ai.

Më tej Nurellari tha se kur të gjithë i kërkonin Vuçiqit të distancohet nga Rusia, Kosova është dashur ta shfrytëzojë atë situatë për ta siguruar një marrëveshje të mirë.

“Tani kemi një Vuçiq ku perëndimi do i lutet që mos e përshkallëzo më tepër, mos u kërko atyre të jugu që të tërhiqen dhe pastaj Vuçiqi do të vijë me kërkesa të reja, pra ka  përmirësuar pozicionin negociator dhe tashmë ne do të duhej të lëshojmë që ai të kthehet në pozicionin ku ishte para pak ditësh”, shtoi Nurellari.