Zgjedhjet e mundshme në komunat veriore, flasin nga Presidenca
Foto: Laura Hasani

Zgjedhjet e mundshme në komunat veriore, flasin nga Presidenca

Aktuale November 07, 2022 - 15:14

Kryetarët e katër komunave veriore, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, kanë dhënë dorëheqje të dielën (6 nëntor) nga pozita e tyre.

Përveç kryetarëve, dorëheqje kanë dhënë edhe këshilltarët në kuvendet komunale nga radhët e Listës Serbe.

E një gjë e tillë ka krijuar momentum për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri.

Lidhur me këtë nga Zyra e Presidentes kanë bërë të ditur për Telegrafin se presidentja Osmani ende nuk ka pranuar dorëheqjen e kryetarëve të komunave në veri nga MAPL-ja.

“Legjislacioni në fuqi dhe praktika e përcaktojnë qartë procedurën për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në rastet kur kryetarët e komunave dorëhiqen nga posti i tyre. Presidentja e Republikës së Kosovës ndërmerr veprimet e nevojshme, duke përfshirë konsultimet me subjektet politike, si dhe shpalljen e zgjedhjeve, pas njoftimit zyrtar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për dorëheqjen e kryetarëve të komunave. Deri më tani, një njoftim i tillë ende nuk është pranuar nga Zyra e Presidentes”, ka thënë Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani.

Ndryshe, nga KQZ-ja kanë thënë se do të presin vendimin e presidentes Vjosa Osmani, e pastaj të merren me organizimin e këtyre zgjedhjeve.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përmbushë detyrimet e veta kushtetuese dhe ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve, pasi ato të shpallen nga ana e presidentes së Republikës së Kosovës. KQZ-ja pret shpalljen e zgjedhjeve para se të fillojë me përgatitjet intensive të tyre”, tha Elezi.