KQZ-ja tregon se a janë të gatshëm për zgjedhje të jashtëzakonshme në veri
Foto: Laura Hasani

KQZ-ja tregon se a janë të gatshëm për zgjedhje të jashtëzakonshme në veri

Aktuale November 07, 2022 - 14:28

Katër komunat serbe në veri kanë mbetur pa kryetarë, pasi ata dhanë dorëheqje në shenjë revolte për konvertimin e targave. Sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, ky veprim hap rrugë për zgjedhje të jashtëzakonshme.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tani po pret vendimin e presidentes së vendit lidhur me zgjedhjet e mundshme në këto katër komuna veriore.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i ka thënë Insajderit se përgatitjet e këtij institucioni për zgjedhje bëhen pasi ato të shpallen nga presidentja.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përmbushë detyrimet e veta kushtetuese dhe ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve, pasi ato të shpallen nga ana e presidentes e Republikës së Kosovës. KQZ-ja pret shpalljen e zgjedhjeve para se të fillojë me përgatitjet intensive të tyre. Sikurse në të kaluarën një nga hapat e parë që ndërmerr KQZ-ja është miratimi i planit operacional, ku listohen të gjitha aktivitetet që duhet të kryhen nga ana e KQZ-së për të organizuar një proces zgjedhor”, ka deklaruar Elezi.

Elezi ka theksuar se aktualisht KQZ-ja nuk ka buxhet për organizmin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Sa i përket çështjes së buxhetit, këto janë zgjedhje të paplanifikuara, çka do të thotë se KQZ-ja nuk ka buxhet aktualisht për organizimin e tyre, por sikurse edhe në të kaluarën, në raste të tilla kur kemi zgjedhje të planifikuara KQZ-ja përgatit një shkresë, pra një kërkesë buxhetore, të cilën e përcjell në për Qeverinë e Kosovës, ku parashihen mjetet e nevojshme të cilat duhet t’i ketë KQZ-ja për të organizuar një proces zgjedhor”, përfundoi ai.