Ministri serb i Mbrojtjes: KFOR-i të mos lejojë dërgimin e policëve shqiptarë në veri të Kosovës

Ministri serb i Mbrojtjes: KFOR-i të mos lejojë dërgimin e policëve shqiptarë në veri të Kosovës

Aktuale November 07, 2022 - 13:46

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë Millosh Vuçeviq deklaroi se situata në Kosovë është e tensionuar, por shpreson se nuk do të ketë përshkallëzim, duke theksuar se KFOR-i tani është një faktor i rëndësishëm, i cili nuk duhet të lejojë kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin të dërgojë policë shqiptarë në veri të Kosovës.

I pyetur se cilat janë vlerësimet e sigurisë, ministri Vuçeviqi tha se po bëhen monitorimi dhe vlerësimi i lëvizjeve të Prishtinës, e cila sipas tij, në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit, po ndërton baza për njësitë speciale të Policisë në territorin e katër komunave në veri me shumicë serbe.

“Tani, kur policët serbë janë tërhequr, është krijuar një vakum sigurie dhe situata është gjithashtu e rrezikshme dhe e komplikuar, sepse shtrohet pyetja - kush do t'i kryejë këto aktivitete të rregullta, të përditshme policore”, theksoi Vuçeviqi.

“Shpresoj se KFOR-i dhe EULEX-i do ta marrin atë rol, sepse do të ishte shumë e rrezikshme nëse Prishtina vendos të dërgojë pjesëtarë të policisë të nacionalitetit shqiptar, nga pjesët e tjera të Kosovës dhe Metohisë në veri”, tha ministri serb i Mbrojtjes.

Ai ka thënë se Serbia nuk ka probleme me bazat e KFOR-it, sepse ato janë në përputhje me Marrëveshjen e Kumanovës dhe Rezolutën 1244, por nuk mund të pranojë që ROSU ose disa njësi të tjera të ndërtojnë baza dhe të demonstrojnë forcë çdo ditë në Jarinjë, Bërnjak, Gazivode... /Zëri