Ministria e Drejtësisë akuzon KMDLNJ-në se i ka keqpërdorur rreth 100 mijë euro, rasti në Gjykatë

Ministria e Drejtësisë akuzon KMDLNJ-në se i ka keqpërdorur rreth 100 mijë euro, rasti në Gjykatë

Aktuale November 07, 2022 - 13:35

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka akuzuar KMDLNJ-në për keqpërdorim të rreth 100 mijë eurove, duke treguar se për këtë i janë drejtuar Gjykatës.

Sallahu ka thënë se KMDLNJ-ja, e cila supozohet të mbrojë drejtat e liritë e njeriut, le të përgatitet ta mbrojë fillimisht veten para drejtësisë.

“KMDLNj-ja i ka keqpërdorur rreth 100.000€ të taksapaguesve. Rastin e kemi dërguar në Gjykatë dhe këta që supozohet t'i mbrojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, le të përgatiten ta mbrojnë fillimisht veten para drejtësisë! Do të ishte mirë që keqpërdoruesit që i kanë dëmtuar fondet publike, të na kursejnë nga këshillat e themelimit të Asociacionit që na e deformon shtetin!”, ka thënë Sallahu, transmeton Zeri.info.

Sallahu ka kujtuar se liritë dhe të drejtat e njeriut janë të garantuara me Kushtetutë dhe me akte ndërkombëtare.

“Ne i respektojmë ato maksimalisht. Por liritë dhe të drejtat e njeriut i cenojnë pikërisht ata që bëjnë thirrje për themelim të mekanizmave që e shkelin Kushtetutën, siç është Asociacioni, i cili në thelb është strukturë e bazuar në përkatësi etnike, përmes të cilës rriten dallimet e diskriminimet kombëtare, që janë në frymë të kundërt me liritë dhe të drejtat e njeriut”, shkroi ai. /Zëri