Largohen edhe prokurorët dhe gjyqtarët serbë nga Gjykata Themelore në Mitrovicën e Veriut

Largohen edhe prokurorët dhe gjyqtarët serbë nga Gjykata Themelore në Mitrovicën e Veriut

Aktuale November 07, 2022 - 12:32

Sot, edhe gjyqtarët dhe prokurorët serbë kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre, si dhe stafi administrativ në Gjykatën Themelore në Mitrovicën e Veriut.

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit dhe anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nikolla Kabashiq, ka thënë se këtë e bënë të gjithë serbët nga gjyqësori, përfshirë stafin administrativ dhe gjyqtarët.

“Ky është realizimi i njoftimit që kam bërë pak ditë më parë. Sot, të gjithë gjyqtarët dhe ata që nuk arritën të dërgonin dorëheqjet nga e-mailet zyrtare dje, e bënë këtë. Kolegët tanë shqiptarë, gjyqtarët dhe punonjësit e administratës mbeten në gjykatë dhe të gjithë serbët, edhe stafi administrativ, edhe gjyqtarët, dhanë dorëheqje”, tha Kabashiqi, transmeton Zeri.info.

Ai shtoi se personalisht nuk do të kthehet kurrë në institucionet e drejtësisë së Kosovës.

“Unë flas në emrin tim, nuk do të kthehem, pjesa tjetër u takon politikanëve”, tha Kabashiqi.

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicën Veriore, Ljiljana Stevanoviq, ka deklaruar se në atë gjykatë kanë lënë shërbimin gjithsej rreth 150 persona. Ajo shtoi se në gjykatë kanë mbetur vetëm kolegët shqiptarë.

“Kemi kaluar gjithë mëngjesin duke negociuar me kolegët tanë. Kolegët tanë shqiptarë kanë marrë përsipër raste të natyrës urgjente. Ne jemi munduar t'i ndihmojmë në çdo gjë. Asnjëherë nuk kemi pasur problem me kolegët tanë, kemi bërë mirë punën, jemi socializuar, kemi bashkëpunuar. Kjo ishte gjykata më e mirë në rezultate dhe e vetmja gjykatë multietnike në Kosovë”, tha Stevanoviqi. /Zëri