Krejt çka ndodhi dje në veri pas tërheqjes së serbëve nga institucionet

Krejt çka ndodhi dje në veri pas tërheqjes së serbëve nga institucionet

Aktuale November 06, 2022 - 08:32

Përfaqësuesit e Listës Serbe dje pas një takimi në Zveçan vendosen të largohen nga institucionet e Kosovës, e kësaj nisme iu bashkangjitët edhe zyrtarët policorë serb që shërbenin në Policinë e Kosovës.

Kjo u bë në shenjë pakënaqesie me vendimin e Qeverisë për fletë qortimet, por edhe për faktin se drejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Nenad Gjuriq ditë më parë u suspendua nga detyra, shkruan Zeri.info.

Pas këtyre lajmeve pati shumë raportime se Policia e Kosovës ka dërguar njësitet speciale në veri, gjë që u mohua nga vetë policia, të cilët thanë se së pari bëhet vlerësimi profesional i situatës pastaj merren masat e nevojshme.

“Nuk jam kundër juve, por Beogradi është kundër meje”, me këto fjalë kryeministri i Kosovës iu drejtua serbëve të Kosovës, duke u kërkuar që të mos bien pre e propagandave të cilat ai i quajti të udhëhequra nga Vuçiqi.

“Përfaqësues të Listës Serbe para një jave kanë thënë që do të organizojnë rezistencë të ashpër kundër gjobave. Mirëpo, nuk e pritën 21 nëntorin: Beogradi nisi kërcënimet dhe përgatitjet për destabilizimin e Kosovës. Prandaj, diçka tjetër është në pyetje”, u shpreh ai.

Pas tij edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një deklarate ka thënë se me këtë veprim Serbia po tenton ta destabilizojë veriun e Kosovës, shkruan Zeri.info.

“I siguroj të gjithë qytetarët e Kosovës se institucionet do të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të siguruar mbarëvajtjen dhe sigurinë publike në çdo cep të territorit të saj në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtar”, thuhet në reagim.

Në anën tjetër liderët opozitarë të Kosovës, Ramush Haradinaj, Lumir Abdixhiku e Memli Krasniqi reaguan ndaj kësaj situate, por ata fajësuan se politikat populiste të Kurtit e kanë çuar vendin deri në këtë pikë, madje Haradinaj i kërkoi Kurtit që ta ndalë sipas tij shkatërrimin e Kosovës.

Ndaj kësaj situate reagoi edhe BE-ja, përkatësisht shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell u kërkoi serbëve që të kthehen në institucione, kurse Kosovës formimin e Asociacionit dhe shtyerjen e afatit për targa.

Pas situatës së tensionuar, zv.sekretari i NATO-s, Mircea Geoana theksoi se NATO-ja dhe KFOR-i janë të gatshme të ndërhyjnë nese përshkallëzohet situata në veri.

Me këtë qëndrim u pajtua edhe i dërguari special i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Kujtojmë se sot Lista Serbe u ka bërë thirrje serbëve që të mblidhen në sheshin “Car Lazar”. /Zëri

Image
Policët serb duke zhveshur uniformat e Policisë së Kosovës