Borrell: Të formohet Asociacioni dhe të shtyhet vendimi për targat

Borrell: Të formohet Asociacioni dhe të shtyhet vendimi për targat

Aktuale November 05, 2022 - 22:49

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.

Në deklaratën e BE-së bëhet thirrje që të përmbahen nga çdo veprim që mund ta destabilizojë gjendjen, por u bëhet thirrje Kosovës e Serbisë që të respektojnë marrëveshjet e arritura, raporton Zeri.info.

“Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale. Ajo ka potencialin për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren”, thuhet në deklaratë.

Ndër të tjera BE-ja i ka bërë thirrje Kosovës që të themelojë Asociacionin e komunave serbe, duke thënë se ky është obligim ligjor i Kosovës.

“Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që Asociacioni duhet të krijohet. Prandaj, themelimi i saj është obligim ligjor për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës”, thuhet në reagim.

Përveç kësaj në reagim kërkohet edhe shtyerja e afatit për targat ilegale. /Zëri