Haxhiu: Mbështetja e Kosovës ndaj Ukrainës e natyrshme, ende të freskëta përjetimet e regjimit të Serbisë

Haxhiu: Mbështetja e Kosovës ndaj Ukrainës e natyrshme, ende të freskëta përjetimet e regjimit të Serbisë

Aktuale November 04, 2022 - 14:07

“Solidariteti i popullit të Kosovës me atë ukrainas është edhe i natyrshëm, ngaqë për ne mbesin ende të freskëta dhimbjet dhe përjetimet që kishim nga regjimi i Serbisë, krimet e luftës e dhunimet ndaj civilëve të pafajshëm, ngjashëm me atë që Rusia sot po shkakton në Ukrainë”, ka thënë ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu.

Haxhiu këtë e tha gjatë Ministerialit ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor për drejtësi dhe punë të brendshme.

Haxhiu ka thënë se gjatë takimit ka folur për reformat në drejtësi, luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, krimet e luftës dhe dhunën në familje.

“Theksova qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që reformat në drejtësi do të bëhen duke marrë parasysh edhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Gjithashtu, diskutuam edhe për agresionin rus mbi Ukrainën”, ka thënë shkruar Haxhiu.

“Përmenda që Republika e Kosovës i është bashkuar linjës së Bashkimit Evropian për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë po ashtu heqjen e vizave për shtetasit e Ukrainës, ndihmën humanitare dhe strehimin e 11 gazetarëve, për të cilët është ofruar akomodim dhe kushte për punën e tyre të vlefshme”, ka thënë Haxhiu. /Zëri