Rrëzimi i një droni në Serbi, Kurti: Ka shumë veprime joracionale atje

Rrëzimi i një droni në Serbi, Kurti: Ka shumë veprime joracionale atje

Aktuale November 04, 2022 - 12:48

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u është përgjigjur të enjten pyetjeve të gazetarëve në Berlin lidhur me raportimin se autoritetet e Serbisë kanë rrëzuar një dron afër Rashkës.

Kryeministri Kurti pas Samitit për Ballkanin Perëndimor, që u mbajt të enjten në kuadër të Procesit të Berlinit, tha se për këtë çështje duhet të pyetet Beogradi, pasi ai nuk mund të dijë se dronët e kujt hyjnë në Serbi.

“Pyeti ata, nuk e di se cilët dronë kanë hyrë në Serbi dhe nga ku… Pra, a mendoni se në një vend ku regjimi në pushtet nuk është demokratik, gjithçka është racionale? Ka aq shumë veprime jo racionale atje”, u është përgjigjur Kurti pyetje të gazetarëve, raportojnë mediat serbe.

Ndryshe, dy ditë më parë Ministria e Mbrojtjes e Serbisë tha se ushtria serbe ka rrëzuar një dron komercial në zonën e gjerë të Kopaonikut.

Siç u tha në deklaratën e ministrisë serbe, droni u rrëzua duke përdorur masat e pengesave elektronike në afërsi të objekteve ushtarake të garnizonit të Rashkës.

Kryeministri i vendit ka folur edhe për çështje tjera para gazetarëve në Berlin.

Ai ka folur edhe lidhur me vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale, si dhe për kërkesën e SHBA-së për shtyrje.

Kurti ka thënë se 21 nëntori është dita kur nis gjobitja e vozitësve me targa ilegale.

“Ajo është dita kur makinat të cilat insistojnë të qarkullojnë me targa ilegale, do të duhet të fillojnë të paguajnë gjoba. Nuk jam i interesuar që dikush të gjobitet, jam interesuar që targat të konvertohen nga ato ilegale të lëshuara nga Serbia, në targa legale të lëshuara nga institucionet e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Ai tha se pengesa nuk është mosinformimi, por është terrori nga ana e Beogradit që u bëhet serbëve të Kosovës, të cilët sipas tij kërcënohen dhe sulmohen edhe me djegie të veturave të tyre kur ata tregojnë gatishmëri për t’u integruar në sistemin e Kosovës. /telegrafi