Vajza e Jakup Krasniqit: Dy vjet heqje lirie pa të drejtë për njeriun më të drejtë që kam njohur

Vajza e Jakup Krasniqit: Dy vjet heqje lirie pa të drejtë për njeriun më të drejtë që kam njohur

Aktuale November 04, 2022 - 11:00

Sot janë bërë dy vjet që nga arrestimi i ish-zëdhënësit të UÇK-së dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, nga Gjykata Speciale.

Arrestimin e Jakup Krasniqit para dy vjetësh e ka kujtuar sot vajza e tij, Gresa, e cila ka shkruar për babanë e saj se ai po mbahet pa të drejtë tash e dy vjet, transmeton Zeri.info.

“2 vjet heqje lirie pa të drejtë për njeriun më të drejtë që kam njohur në jetën time - Babin tim! ‘Kujt ia patëm borxh këtë Sevdije?!’. I kujtoj e rikujtoj këto fjalë që vinë si jehonë e dhëmbin njësoj si herën e parë që i dëgjova!

Kujt do t’i kishe borxh ti, që i dhurove Kosovës vitet e njëzeta në ilegalitet, vitet e tridhjeta në burgjet jugosllave dhe të dyzetat në luftë kundër okupatorit serb?.

Kujt do t’i kishe borxh ti, që i dhe Kosovës forcë atëherë kur ish dorëzuar? Ti që i dhurove fytyrë e zë UÇK-së, atëherë kur shumëkush ndihej i frikësuar? Kujt do t’i kishe borxh ti, që gjithë këto vite dhurove, dhurove, dhurove pa mbarim e pa kushte? Edhe në të shtatëdhjetat po i dhuron Kosovës gjithçka nga vetja!

Prandaj babi, në borxh hyre që ditën kur linde, se linde për gjëra të mëdha! Linde për tu bërë kurban i lirisë që sot gëzojmë dhe urë për të ecur mbi ujërat e trazuara. Borxh sja kishe askujt veç tokës Dardane! Borxhlia është i keq, na thoje gjithnjë, e di që kurrë në borxh nuk hyre!”, shkroi Gresa.

Jakup Krasniqi u arrestua më 4 nëntor 2020, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), në bazë të një aktakuze të konfirmuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe në zbatim të fletarrestimit dhe urdhrit për transferim, të lëshuara nga gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës. /Zëri