“Lëndime trupore edhe më herët”, zbardhet raporti mjekësor i të moshuarës që u dhunua nga infermierja në Pejë

“Lëndime trupore edhe më herët”, zbardhet raporti mjekësor i të moshuarës që u dhunua nga infermierja në Pejë

Aktuale November 04, 2022 - 08:41

Mediat kanë zbardhur ekzaminimin mjekësor të së moshuarës që u dhunua nga infermierja Aurora Pelaj në Shtëpinë e të Moshuarve në Pejë.

Në raportin mjekësor thuhet se nga ekzaminimi ka rezultuar se e moshuara ka pasur lëndime trupore edhe më herët.

Gjithashtu sipas mjekëve e moshuara nuk është në gjendje të flasë për atë çka i ndodhi, kështu që u vendos që dëshmia e saj të merret në një situatë tjetër më vonë.

Infermierja Aurona Pelaj, e cila dhunoi të moshuarën Minire Nura në qendrën e pleqve në Pejë, do të qëndrojë një muaj në paraburgim.

Gjykata themelore ka marrë të njëjtën masë edhe për dy koleget e saj, të përfshira në sulm, Altina Rexhepi dhe Remzije Kuqi, të cilat filmuan episodin dhe nuk ndërhynë.

Të tria të pandehurat do të qëndrojnë në paraburgim në Burgun e Lipjanit. Dje, e enjte, 3 nëntor, institucionet e drejtësisë në Kosovë caktuan, një mjek psikiatër për të ekzaminuar gjendjen e së moshuarës pas dhunës së ushtruar mbi të.

Referuar zyrtarëve, ky vendim është ndërmarrë për të përcaktuar nëse ajo është në gjendje të dëshmojë për ngjarjen.

Ndërkohë, autoritetet vendase po vazhdojnë hetimet për të verifikuar nëse ka pasur edhe raste të tjera të dhunës në shtëpinë e pleqve “Orenda” në Pejë.

Vetëm një ditë pas publikimit të videos së rëndë të këtij akti, aktorja Kaltrina Zeneli e cila ishte e para që shpërndau videon në rrjetet sociale ka marre kërcënime për jetën.

Familjarët e të moshuarës e tërhoqën atë nga Shtëpia e Pleqve menjëherë pas publikimit e videos, duke paralajmëruar se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore.

Për këtë rast të rëndë pati reagime të ashpra nga drejtues te shtetit e politikës, shoqëria civile dhe qytetarë në Kosovë dhe në Shqipëri. /abcnews