Gjykimi për korrupsion ndaj Zharkut, dëshmitarët deklarojnë se 20 për qind e objektit do t’i takonte Komunës së Kaçanikut

Gjykimi për korrupsion ndaj Zharkut, dëshmitarët deklarojnë se 20 për qind e objektit do t’i takonte Komunës së Kaçanikut

Aktuale November 03, 2022 - 18:39

Me dëgjimin e dëshmitarëve Fehmi Dullovi, Menduh Krasniqi dhe Afet Dalloshi ka vazhduar gjykimi për korrupsion ndaj ish-kryetarit të Kaçanikut, Xhabir Zharku.

Të njëjtit janë deklaruar të enjten në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Fillimisht, dëshmitari Fehmi Dullovi me kërkesë të prokurorit Rasim Maloku, dëshminë e tij e ka dhënë nën betim.

Tutje, dëshmitari Dullovi tha se për këtë çështje ka dhënë deklaratë në polici, ku është marrë në pyetje lidhur me firmën NN”Çlirimitarët”.

“Këtë firmë e kemi themeluar 9 persona në mesin e të cilëve isha edhe unë dhe e kemi themeluar për ndërtim, unë i njoh bashkëthemeluesit e tjerë të cilët janë Fehmi Dullovi, Burim Bajra, Avni Dullovi, Menduh Krasniqi, Afet Dalloshi, Afrim Bajrami, Muharrem Ahmetaj, Elham Bunjaku”, ka thënë dëshmitari Dullovi

I njëjti, tha se kompania NN Çlirimtarët edhe pse ishte themeluar që të kryej rol në ndërtim, asnjëherë nuk ka kryer ndonjë ndërtim.

“Ndërtimin e një objekti e kemi filluar të cilin nuk kemi arritur ta përfundojmë, ka qenë afër objektit të Gjykatës, kjo tokë ku kemi filluar ndërtimin ka qenë e Komunës së Kaçanikut. Nuk më kujtohet koha kur e kemi regjistruar këtë kompani të ndërtimit unë kam marrë pjesë në themelimin e saj, por kam qenë antëtarë i thjeshtë dhe nuk kam pas ndonjë rol apo detyrë, dhe për këtë arsye nuk e di se a ka pas ndonjë marrëveshje apo kontratë për ndërtimin e këtij objekti,” ka deklaruar dëshmitari Dullovi

Në këtë fazë të procedurës është dëgjuar edhe dëshmitari Menduh Krasniqi, i njëjti poashtu deklaratën e tij e ka dhënë nën betim, me kërkesë të prokurorit Rasim Maloku.

Dëshmitari Menduh Krasniqi tha se për këtë çështje ka dhënë deklaratë në polici, konkretisht në lidhje me firmën ndërtimore NN Çlirimtarët në Kaçanik.

“Në polici jam ftuar për shkak se kemi pas një firmë të ndërtimit në Kaçanik NN Çlirimtarët, ku unë kam qenë pjesëmarrës dhe themelues i kësaj kompanie, kemi qenë 9 pjesëmarrës, ndërsa si përfaqësues e kemi autorizuar Elham Bunjakun,” ka rrëfyer dëshmitari Krasniqi

“Prona në të cilën kemi filluar ndërtimin ka qenë pronë e Komunës së Kaçanikut, kemi ba kërkesë në institucion komunal për të na e dhënë këtë parcelë, ndërsa më vonë është aprovuar kjo kërkesë me marrëveshjen e lidhur në mes të kompanisë dhe Komunës, ku komuna do të fitonte rreth 20% të objektit, kjo kontratë është e nënshkruar nga përfaqësuesi kompanisë Elham Bunjaku dhe ish kryetarit të komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku”, ka thënë dëshmitari Menduh Krasniqi

Sipas dëshmitarit në marrëveshje thuhet se kur të përfundon objekti Komuna do të fitonte 20% të këtij objekti, ndërsa pjesa tjetër i takonte investitorëve.

I njëjti, shtoi se kompania kishte pasur vështirësi në grumbullimin e mjeteve, ndërkohë ishin interesuar të gjenin një firmë tjetër. Kështu, kishin gjetur një kompani në Suharekë e cila do të kryente punët në këtë objekt.

Ndërsa, i njëjti shtoi se kjo firmë nga Suhareka e cila quhej “Kuqi” nuk kishte përfunduar punimet në objekt, por pastaj objektin e kishte ndërtuar kompania “Bardhi” me pronar Bashkim Topojani.

Në këtë seancë poashtu u dëgjua dhe dëshmitari Afet Dalloshi, gjithashtu i njëjti ka dhënë deklaratën e tij nën betim.

Poashtu, dëshmitari Dalloshi tha se për këtë çështje ka dhënë deklaratë në polici, shtoi se ka qenë njëri prej aksionarëve të kompanisë NN Çlirimtarët.

“Veprimtaria e kompanisë “Çlirimtarët” ka qenë ndërtimi, dhe ne si ndërmarrje kemi filluar të ndërtojmë këtë objekt, prona ku kemi filluar ndërtimet ka qenë pronë e Komunës së Kaçanikut, për procedurat e letrave, marrëveshjes unë nuk kam qenë në ngjarje, unë nuk kam qenë prezent kur është bërë marrëveshja, por e di që ka pas marrëveshje,” ka thënë dëshmitari Afet Dalloshi

I njëjti shtoi se këtë marrëveshje nuk e kishte pa, por e kishin njoftuar shokët me të cilët kishte themeluar kompaninë NN Çlirimtarët.

Poashtu, shtoi se për këtë çështje nuk ishte takuar asnjëherë me zyrtarët e Komunës së Kaçanikut.

Seancat e radhës për këtë rast u caktuan më 16 nëntor 2022 ora 09:30 dhe 25 nëntor 2022 ora 11:00, me dëgjimin e dëshmitarëve sipas radhës.

Sipas aktakuzës, më 23 tetor 2008 në Kaçanik, si person zyrtar– kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit, ka shpërdorur pozitën e tij zyrtare, në atë mënyrë që në kundërshtim me Ligjin për Procedurën e Dhënies Koncesioneve 02/1,-44, kishte marrë vendim me numër 7311/2008, me të cilin kishte lejuar ndërtimin e objektit për banim kolektiv dhe lokale afariste në ngastrën kadastrale numër 650 zona kadastrale Kaçanik, pronë e komunës, e cila iu ka dhënë në shfrytëzim të përhershëm NN “Çlirimtarët“, me seli në Kaçanik, sipas të cilës kontratë komuna do të fitonte 20% në vijë vertikale të objekteve banesore, kurse pjesa tjetër e objektit do të ishte pronë në shfrytëzim të përhershëm të NN “Çlirimtarët“, pa i zbatuar procedurat që parashihen sipas Ligjit për Procedurën e Dhënies së Koncesioneve numër 02/1,-44, i cili ka qenë në fuqi.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” nga neni 339, par.1 lidhur me par.3 të Kodit Penal.

Sipas pikës 2 të aktakuzës, më 11 shkurt 2010 në Kaçanik, si person zyrtar– kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit, ka shpërdorur pozitën e tij zyrtare.

Aktakuza thotë se në kundërshtim me nenin 14 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale numër 03/1.-040, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor në Gjykatën Komunale në Kaçanik, në çështjen civile të paditësit NTN “Bardhi“ nga Kaçaniku me pronar Bashkim Topojanin kundër të paditurës Komuna e Kaçanikut, për vërtetimin e së drejtës të shfrytëzimit të përhershëm të paluajtshmërisë, kishte urdhëruar avokatin publik të Komunës së Kaçanikut, Fitore Krivanjeva – Daci që të mos ushtrojë ankesë kundër aktgjykimit të Gjykatës Komunale në Kaçanik C.nr.246/09, të 29 janarit 2010.

Me këtë aktgjykim, thuhet se paditësit NTN “Bardhi“ nga Kaçaniku me pronar Bashkim Topojanin, iu ka njohur e drejta e shfrytëzimit të përhershëm të paluajtshmërisë e evidentuar si parcela kadastrale numër 650/03, me sipërfaqe 0.30,43 ha, e evidentuar në fletën poseduese numër 86 Komuna Kadastrale Kaçanik, e cila paluajtshmëri ka qenë pronë shoqërore në emër të Komunës së Kaçanikut.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” nga neni 339, par.1 lidhur me par.3 të KPRK-së.

Zharku, në vitin 2011, ishte dënuar nga EULEX-i me 3 vjet burgim për veprat penale “Detyrim” dhe “Armëmbajtje pa leje”, ndërsa pas kësaj ishte arratisur nga Kosova, ku kishte jetuar në Suedi e në disa raste kishte marrë pjesë në organizime të institucioneve të Kosovës. Në shtetin skandinav ai kishte jetuar për gati pesë vjet e gjysmë, derisa më 7 qershor 2018, ai ishte kthyer në Kosovë, pasi që kishte kaluar afati i ekzekutimit të dënimit ndaj tij. /BetimipërDrejtësi