Sveçla: Nuk do të lejojmë asnjë veprim që cenon misionin e policisë
Foto:Laura Hasani

Sveçla: Nuk do të lejojmë asnjë veprim që cenon misionin e policisë

Aktuale November 03, 2022 - 17:37

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar për suspendimit të Drejtorit Rajonal të Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Nenad Gjuriq, duke thënë se refuzimi i zbatimit të vendimit legjitim të institucioneve të Republikës së Kosovës, është mbi të gjitha cenim i rëndë i sigurisë dhe stabilitetit.

Ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se Policia e Kosovës është një dhe të gjithë pjesëtarët e saj duhet të kenë të njëjtin mision: sundimin e ligjit dhe krijimin e ambientit të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim.

"Nuk do të lejojmë asnjë veprim që cenon këtë mision dhe bashkë me Policinë e Kosovës do të vazhdojmë zbatimin e tij”, ka shkruar Sveçla.

Ndryshe Inspekorati Policor rekomandoi sot suspendimin e Gjuriqit, pasi i njëjti, të mërkurën doli në konferencë për media, ku tha se pjesëtarët serbë të policisë nuk do të zbatojnë vendimin e qeverisë për ndalimin e veturave me targa “KM” dhe shpërndarjen e fletqortimeve. /Zëri