ZPS: Lajçit nuk duhet t’i aprovohet leja për të apeluar vendimin e dytë mbi kërkesën e tij për pushim të hetimeve

ZPS: Lajçit nuk duhet t’i aprovohet leja për të apeluar vendimin e dytë mbi kërkesën e tij për pushim të hetimeve

Aktuale November 03, 2022 - 16:52

Në përgjigjen ndaj kërkesës së Driton Lajçit për leje për ankesë ndaj vendimit për kërkesën e dytë për pushimin e hetimeve, Zyra e Prokurorit të Speializuar (ZPS), ka thënë se mbrojtjes nuk duhet t’i aprovohet kjo kërkesë.

Lajçi kishte mbajtur pozitën e shefit të Divizionit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë (MD), raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtja e tij, për herë të dytë i ishte drejtuar një gjyqtari të vetëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës lidhur me hetimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), ndaj tij.

Derisa, prokuroria në përgjigje ndaj kësaj kërkese kishte thënë se po shqyrton veprimet e Driton Lajçit si pjesë e një përpjekjeje më të madhe për të penguar Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), ndër të tjera thotë se mund të ketë shumë të bashkëpandehur të mundshëm në hetimet që po zhvillohen.

Sipas prokurorisë, kërkesa duhet të refuzohet sepse Lajçi nuk arrin të përballojë barrën e tij për të treguar se ndonjë nga çështjet e propozuara meriton shqyrtim nga Gjykata e Apelit.

Prokuroria thotë se asnjë nga tre çështjet për të cilat Lajçi kërkon të apelojë nuk kanë meritë për leje të apelimit kur krahasohen me standardet e aplikueshme për leje për ankesë sipas nenit 45 të Ligjit dhe rregullit 77 të Rregullores.

“Kërkesa është e përsëritur dhe e parakohshme, dhe duhet të hidhet poshtë përfundimisht. Lajçi kërkon të apelojë tre çështje (‘Çështjet’), të cilat të gjitha kanë të bëjnë me arsyeshmërinë e standardit të kohëzgjatjes së procedurës (përfshirë ‘sjelljen e aplikantit dhe atë të autoriteteve administrative dhe gjyqësore’) të miratuara në Vendimin e Parë, të pranuar në Vendimi i Apelit, dhe ri-aplikuar në Vendim. Gjyqtari i vetëm më parë refuzoi lejen për të apeluar një çështje që sfidonte këtë standard, duke përfshirë në bazë të argumenteve të njëjta ose të ngjashme të ngritura në Kërkesë”, thuhet tutje në përgjigje të ZPS-së.

Në shkresë thuhet se gjykatësi konsideroi se Vendimi i Parë përcaktonte qartë faktorët, duke përfshirë sjelljen e të dyshuarit dhe autoritetet përkatëse, që duhet të merren parasysh gjatë vlerësimit të kohëzgjatjes së arsyeshme të një hetimi. Sipas tyre, i njëjti arsyetim vlen edhe për çështjet e përsëritura dhe arsyetimi në kërkesë dhe shqyrtimi i detajuar i tyre nuk është i justifikuar.

“Edhe në themel, që në fillim pretendimet e Lajçit shkojnë vetëm në aspektet margjinale të një faktori në një test shumëfaktorësh që gjyqtari i vetëm duhet ta peshojë në mënyrë tërësore. Ky realitet e ngre në mënyrë të konsiderueshme shiritin në lidhje me atë që Lajçi duhet të demonstrojë në mënyrë që të plotësojë kërkesën që ai të demonstrojë se çështjet do të ndikojnë ndjeshëm në procedurë ose gjykim dhe se një zgjidhje e menjëhershme do të avanconte materialisht procedurën. Pavarësisht nga çdo masë, Çështjet nuk përmbushin kërkesat për leje ankimimit”, vijon prokuroria.

Ata thonë se ZPS vëren se një pjesë e konsiderueshme e argumentit të Lajçit shkon në themel të pretendimeve të tij dhe jo në kërkesa për ankim të ndërmjetëm. ZPS thuhet se rezervon të drejtën për t’iu përgjigjur thelbit të këtyre pretendimeve nëse është e nevojshme në kohën e duhur.

Ndryshe, mbrojtjes i ishte refuzuar në vitin 2021 kërkesa për përfundimin e hetimeve ndaj Lajçit.

Edhe në vitin 2022, mbrojtja kishte kërkuar që të urdhërohet ndërprereja e hetimeve nga ana e ZPS-së. /BetimipërDrejtësi