Kollçaku e shqetësuar nga rasti i të moshuarës në Pejë: Licencat të rishikohen, kemi shumë punë në edukim

Kollçaku e shqetësuar nga rasti i të moshuarës në Pejë: Licencat të rishikohen, kemi shumë punë në edukim

Aktuale November 03, 2022 - 12:40

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Fatmire Kollçaku, është shprehur e shqetësuar nga sulmi fizik që ndodhi në shtëpinë e të moshuarve “Orenda” në Pejë, ndaj një gruaje të moshuar.

Ajo në fillim të mbledhjes së Komisionit shtoi se ishte shumë e vështirë të shihej se si po keqtrajtohej një nënë e dëshmorit.

Sipas saj, të gjitha licencat duhet të rishikohen për punonjësit shëndetësorë, duke kërkuar që ky rast të trajtohet me seriozitet nga institucionet e drejtësisë.

Madje ajo thotë se shteti ke ende shumë punë sa i përket edukimit.

“Shpreh shqetësimin për ngjarjen çfarë e pame, një akt të dhunës në një institucion të moshuarve. Një nënë e dëshmorit ishte shumë e vështirë ta shohim. Ne kemi filluar vizita në Shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë dhe do të vazhdojmë me këto vizita.

…është detyra jonë të vazhdojmë vizitat. Këtu të gjitha licencat që janë lëshuar duhet të rishikohen. Besoj që ne me përkushtim duhet të kërkojmë që kjo dhunë të ndëshkohet.

Mos veprimi i gjyqësorit për këto raste nuk është i izoluar. Edhe ai që e ka incizuar është një lloj bashkëpunëtori. Ka punë shumë edhe për edukim”.

Nga videoja e publikuar, përveç dhunës së ushtruar nga infermierja, shihet edhe stafi tjetër i qendrës, i cili nuk bënë asnjë veprim për ta parandaluar dhunën.