Shoqata e të Drejtave të Pacientëve dënon sulmin ndaj të moshuarës në Pejë
Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë PRAK ka dënuar ashpër dhunën e ushtruar nga një infermiere ndaj një të moshuare në një shtëpi të pleqve në Pejë.
Në reagimin e kësaj shoqate thuhet se përveç dhunës që ushtron infermierja, e qeshura e të tjerave është më shqetësuese, raporton Zeri.info.
“Për të rritur edhe me shumë skandalin, menaxhmenti i kësaj qendre me një vendim skandaloz tenton ta arsyetojë sjelljen çnjerëzore të punëtorëve të kësaj qendre!”, thuhet ndër të tjera.
PRAK-u pas kësaj kërkon nga institucionet përgjegjëse që të gjithë personat e përfshirë të burgosen dhe t’u hiqet licenca e punës.
“Duke i parë të gjitha këto fakte, PRAK-u kërkon nga institucionet përgjegjëse që:
Të zhvillohet një hetim i detajuar për mënyrën e trajtimit të të moshuarve në atë qendër;
Të gjithë personat e përfshirë në abuzime të paraburgosen në mënyrë që të mos prishen provat e mundshme dhe nëse gjinden prova të abuzimeve të marrin dënime meritore;
Të gjithë profesionistëve shëndetësorë të përfshirë në këto abuzime t’u hiqet licenca e punës;
Kësaj qendre t'i hiqet licenca e punës dhe qendra të merret nën menaxhim nga institucionet shtetërore”, thuhet në komunikatë. /Zëri