Deklarohet Scholzi: Të normalizohen raportet Kosovë - Serbi
Foto: Reuters

Deklarohet Scholzi: Të normalizohen raportet Kosovë - Serbi

Aktuale November 03, 2022 - 10:29

Ka nisur samiti i Berlinit nën udhëheqjen e kancelarit gjerman Olaf Scholz. Paraprakisht ky i fundit ka mirëpritur kryeministrin Albin Kurti dhe pjesëmarrësit e tjerë.

Me këtë rast kancelari gjerman, i cili është edhe drejtues i këtij samiti, Olaf Scholz, ka bërë thirrje që të kryhet normalizimi i raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu, kancelari gjerman tha se Evropa mund të jetë e plotë vetëm me Ballkanin Perëndimor si pjesë e saj.

“Gjatë vitit tim të parë si kancelar i Gjermanisë kam pasur mundësinë të flas me shumë nga ju për sfidat e rënda që e ballafaqojnë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Këto sfida janë të përbashkëta, sepse stabiliteti dhe prosperiteti i rajonit nuk mund të ndahet nga stabiliteti dhe prosperiteti i Evropës si tërësi. Evropa mund të jetë e plotë vetëm me Ballkanin Perëndimor si pjesë e saj. Ju gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor i përkisni Evropës së lirë dhe anëtarësimi juaj në BE është në interesin tonë”, ka theksuar Scholzi në hapje të këtij samiti. Në kryeqendrën gjermane mbahet Samiti i Berlinit, ku nikoqir për herë të parë është kancelari gjerman Olaf Scholz

Ndryshe, mbajtja e këtij samiti shënon edhe ringjalljen e procesit meqë liderët e Ballkanit Perëndimor nuk janë takuar më në kuadër të kësaj platforme që nga largimi i kancelares Angela Merkel, që ishte njëkohësisht edhe ideatore e këtij procesi.

Përgjatë këtij samiti, pritet që të gjashtë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor të nënshkruajnë tri marrëveshje, ku përfshihet edhe liria e lëvizjes, njohja e diplomave universitare dhe kualifikimit profesional.

Në mesin e pjesëmarrësve janë edhe liderët e institucioneve evropiane, përfshirë këtu presidentin e Këshillit të BE-së, Charles Michel, si dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Sipas raportimeve, Von der Leyeni me këtë rast do të shpalosë pakon e ndihmave financiare për rajonin, të cilat do të ndihmojnë në përballimin e sezonit dimëror, si dhe grantet për reformimin e sektorit të energjisë në rajon.

Kosovën në këtë Samit e përfaqëson kryeministri i vendit, Albin Kurti , kurse Serbia përfaqësohet nga kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq.

Me ftesë të kancelarit gjerman, i pranishëm në Samitin e Berlinit është edhe përfaqësuesi special i dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Kësisoj nuk është përjashtuar mundësia që së paku në margjinat e samitit, të diskutohet edhe çështja e procesit të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ndonëse kjo temë zyrtarisht nuk ishte pjesë e agjendës.

Po ashtu sot pritet që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të bëjë të ditur qëndrimin e Kosovës sa i përket propozimit franko-gjerman, në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi. /express