Osmani i nënshtrohet një ndërhyrjeje të lehtë kirurgjike

Osmani i nënshtrohet një ndërhyrjeje të lehtë kirurgjike

Aktuale November 03, 2022 - 08:32

Presidentja e vendit Vjosa Osmani të mërkurën i ka bartur përkohësisht përgjegjësitë te kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Kjo është bërë pasi presidentja i është nënshtruar një intervenimi të lehtë kirurgjik (heqja e tëmthit), i cili është realizuar me sukses, transmeton Zeri.info.

Kjo është konfirmuar nga Presidenca.

“Zyra e Presidentes e Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se dje (2 nëntor), pas rekomandimit nga mjekët specialistë, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i është nënshtruar një intervenimi të lehtë kirurgjik (heqja e tëmthit), i cili është realizuar me sukses.

Bazuar në vlerësimin dhe vullnetin e saj, gjatë ditës së djeshme presidentja Osmani ka bërë bartjen e përkohshme të përgjegjësive të Presidentes së Republikës te kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Tutje thuhet se nga sot presidentja do të vazhdojë me ushtrimin e detyrave dhe obligimeve kushtetuese, që ndërlidhen me pozitën e saj, si dhe gradualisht do t’u kthehet angazhimeve publike.

“Gjatë kësaj periudhe, kërkojmë mirëkuptimin e mediave për të respektuar të drejtën fundamentale për privatësi të presidentes, që është e garantuar me Kushtetutë”, thuhet në fund të njoftimit. /Zëri