Sot, Samiti i Berlinit për Ballkanin Perëndimor

Sot, Samiti i Berlinit për Ballkanin Perëndimor

Aktuale November 03, 2022 - 08:26

Në kryeqendrën gjermane mbahet Samiti i Berlinit, ku nikoqir për herë të parë do të jetë kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Mbajtja e këtij samiti do të shënojë edhe ringjalljen e procesit, meqë liderët e Ballkanit Perëndimor nuk janë takuar më në kuadër të kësaj platforme qysh nga largimi i kancelares Angela Merkel, e cila ishte njëkohësisht edhe ideatore e këtij procesi.

Pritet që gjashtë liderët nga vendet e Ballkanit Perëndimor të nënshkruajnë tri marrëveshje, ku përfshihet liria e lëvizjes, njohja e diplomave universitare dhe kualifikimit profesional.

Në mes të pjesëmarrëseve do të jenë edhe liderët e institucioneve evropiane, përfshirë këtu presidentin e Këshillit të BE-së, Charles Michel, si dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Sipas paralajmërimeve, Von der Leyeni me këtë rast do të shpalosë pakon e ndihmave financiare për rajonin të cilat do ndihmojnë në përballimin e sezonit dimëror si dhe grantet për reformimin e sektorit të energjisë në rajon.

Kosovën në samit e përfaqëson kryeministri Albin Kurti, ndërsa Serbinë, homologia e tij nga Beogradi, Ana Bërnabiq.

Në samit, me ftesë të kancelarit gjerman merr pjesë edhe përfaqësuesi i veçantë i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, andaj edhe nuk përjashtohet mundësia që, së paku në margjinat e samitit, të preket çështja e procesit të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, ndonëse kjo temë zyrtarisht nuk është në agjendë, raporton RTK.

Procesi i Berlinit u themelua në vitin 2014 me iniciativën e ish-kancelares Anegla Merkel. Kjo iniciativë kishte qëllim krijimin e platformës për bashkëpunim të nivelit të lartë midis përfaqësuesve të lartë zyrtarë të të ashtuquajturës “Gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor” ku bëjnë pjesë Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Procesi përfshin gjithashtu institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe shoqërinë civile të rajonit.

Në periudhën sa Merkel ishte kancelare, samitet mbaheshin rregullisht një herë në vit. Herën e fundit Samiti i Procesit të Berlinit u mbajt në formë hibride në vitin 2020.

Ky samit është i pari për kancelarin aktual Olaf Scholz. Samiti i ardhshëm në kuadër të Procesit të Berlinit pritet të mbahet, vitin tjetër, në Tiranë.