Plani gjermano-francez për raportet Kosovë - Serbi, nesër temë në Berlin

Plani gjermano-francez për raportet Kosovë - Serbi, nesër temë në Berlin

Aktuale November 02, 2022 - 09:29

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e konfirmoi se në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, që mbahet nesër, më 3 nëntor, pritet të diskutohet edhe plani gjermano-francez për marrëveshjen gjithëpërfshirëse Kosovë - Serbi.

“Ditën e enjte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të jetë në Berlin, ku do të nënshkruhen tri marrëveshje të rëndësishme në Procesin e Berlinit. Mendoj që aty do ta ketë mundësinë që pastaj në detaje ta informojë kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron, i cili pritet të jetë në Berlin, për atë se cili është qëndrimi i palës kosovare për këtë propozim”, tha Bislimi në intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Ai u shpreh se plani është një ide që raportet Kosovë-Serbi të zgjidhen në dy faza, ku një pjesë e madhe e kontesteve do të zgjidheshin tani.

“Kurse një pjesë shumë e vogël, që ata thonë është 1 për qind, por ne besojmë që është më shumë, do të liheshin për një periudhë të mëvonshme”.

Ai e konfirmoi se e ka parë këtë dokument.

“Natyrisht që është parë. Është parë nga një grup shumë i vogël i njerëzve. Në këtë fazë, unë nuk mund të flas për përshtypjet, vlerësimet tona ose propozimet tona, por mund të them që propozimet i kemi të shkruara dhe të dërguara te Scholzi dhe Macroni”.