Qehaja: S’ka statistika, pak nxënës po shkojnë në shkollë të shtunave

Qehaja: S’ka statistika, pak nxënës po shkojnë në shkollë të shtunave

Aktuale November 02, 2022 - 09:20

Vendimi nga Ministria e Arsimit për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës nuk është duke u respektuar, gati një muaj nga ky vendim orët e humbura nuk janë duke u zëvendësuar në shumicën e shkollave në vend.

Drejtori ekzekutiv i institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja, tha për Ekonominë Online se komunitetet lokale të shkollave duhet që të gjejnë një gjuhë të përbashkët për ditët se kur do të duhej të zëvendësoheshin orët e humbura.

“Orari mësimor duhet të respektohet nga të gjithë, mirëpo të njëjtën kohë ky orar nuk mund të imponohet askujt, kemi një komunitet të prindërve dhe nxënësve, që kanë një vullnet të lirë për pjesëmarrje në proces mësimor dhe kjo duket të jetë rasti me këtë zëvendësimin e të shtunave”.

“Ajo që është e domosdoshme, që komuniteti lokal i shkollës mes vete të gjejë një gjuhë të përbashkët për ato ditë ideale, qofshin vikendeve ose pushimeve, ku zëvendësimi do të duhej të ndodhë”.

Qehaja tha se kjo situatë tregon për neglizhencën institucionale, duke shtuar se po të kishte komunikime jo të imponuara, nuk do të kishte situata të tilla.

Sipas tij, mungojnë statistika të sakta se ku janë zëvendësuar orët, ku jo dhe se interesimi i nxënësve që të shkojnë në shkollë të shtunave është i vogël, raporton EO-ja.

“Kjo situatë është e pazakontë, por na dëshmon shumë edhe për neglizhencë institucionale të shpërndamë gjithandej nga komuniteti i mësimdhënësve, në shkolla deri tek vetë institucionet qeveritare. Një komunikim më i hapur dhe jo i imponuar pa dyshim nuk do të na sillte situata si kjo.

Zëvendësimi i orëve të shtunave, mungojnë me evidencë se cilat janë statistikat e vërteta, mirëpo ajo çka na dëshmon nga një absorbim i natyrshëm dhe i rastësishëm i shumë prej shkollave është një numër jo i madh i nxënësve që marrin pjesë në një proces mësimor të shtunave”, tha ai.