33-vjetori i rënies së dëshmorëve, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu

33-vjetori i rënies së dëshmorëve, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu

Aktuale November 02, 2022 - 08:01

Sot u bënë 33 vjet nga rënia e dy dëshmorëve, Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia, nga komuna e Podujevës.

Me këtë rast, në nderim të veprës së heronjve, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu do të bëhen homazhe te varret e tyre në varrezat e dëshmorëve në lagjen “Velania” - Prishtinë, në orën 12:00, ndërsa në orën 13:00 do të bëhen homazhe te vendi i rënies – “Bregu i Diellit” - Prishtinë.

Fahriu dhe Afrimi ranë më 2 nëntor të vitit 1989, në “Bregun e Diellit” në Prishtinë, pas një luftimi të pabarabartë me forcat e armikut.

Fahri Fazliu u lind në vitin 1963 në Llaushë të Podujevës. Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Ai ishte pjesëmarrës edhe në demonstratat e vitit 1981. Ai aktivitetin e tij në çlirim të atdheut e vazhdoi gjatë tërë kohës edhe në vendin e tij të punës dhe kudo ku i jepej mundësia.

Afrim Zhitia u lind në vitin 1965 në fshatin Llugë të Podujevës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Më 1982, si nxënës i vitit të tretë të shkollës së mesme, inkuadrohet në organizatën ilegale Fronti Nacionalçlirimtar i Kosovës. Më 1984 arrestohet bashkë më shokë dhe dënohet me katër vjet burg.

Më 2 nëntor 1989 Zhitia dhe Fazliu u rrethuan në lagjen “Bregu i Diellit” nga UDBA serbe dhe pas një lufte të pabarabartë me armikun, prej orës 12:45 deri në orën 19:00, ranë heroikisht të dy atdhetarët.