Avokati i Nasim Haradinajt: Vendimi i apelit për të, në fillim të vitit 2023

Avokati i Nasim Haradinajt: Vendimi i apelit për të, në fillim të vitit 2023

Aktuale November 01, 2022 - 19:34

Seancat e apelit për nënkryetarin e Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, i cili po gjykohet nga Dhomat e Specializuara në Hagë, pritet të mbahen në fillim të dhjetorit.

Avokati i zotit Haradinaj, Toby Cadman i tha Zërit të Amerikës se ai shpreson në uljen e dënimit prej 4.5 vjetësh ndaj klientit të tij. Duke folur për të pandehurit e tjerë që po gjykohen në Hagë, zoti Cadman thotë se për shkak të akt-akuzave dhe numrit të madh të dëshmitarëve, disa procese, si ato ndaj ish udhëheqësve të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, mund të zgjasin 3 apo 4 vjet.

Zoti Cadman, a mund të shpjegoni se ku qëndron procesi kundër ish zyrtarëve të lartë dhe politikanëve të lartë të Kosovës, disa prej të cilëve po mbahen në paraburgim në Hagë për më shumë se dy vjet?Toby Cadman: Shumë prej tyre në fakt po ndiqen më gjatë se dy vjet. Disa prej tyre janë hetuar me vite të tëra para se të jenë dërguar në Hagë dhe të akuzohen. Nasim Haradinaj, të cilin e mbroj unë, është dënuar gjatë këtij viti. Seancat e apelit i kemi më 1 dhe 2 dhjetor. Presim një vendim përfundimtar në fillim të vitit të ardhshëm. Në lidhje me çështjet e mëdha që përfshijnë Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe të tjerët, procesi gjyqësore ende nuk ka filluar.

Ekipet mbrojtëse dorëzuan së fundmi gjithë dokumentaconin paraprak. Ajo që po presim tani është caktimi i trupit gjykues. Besoj se do të ndodhë brenda disa muajve të ardhshëm dhe më pas të fillojnë gjykimet. Por, kur shikoni madhësinë e aktakuzës dhe numrin e dëshmitarëve, procesi gjyqësor mund të zgjasë tre ose katër vjet.Zoti Cadman, klienti juaj, Nasim Haradinaj, njëri nga drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është dënuar me katër vjet e gjysmë burgim për “pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrës, frikësim të dëshmitarëve dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”. Çfarë prisni nga procesi i apelit?

Toby Cadman: Presim që dënimi të shfuqizohet dhe ai të lirohet nga akuza, ose të paktën, të jepet e drejta e rigjykimit, pasi ne besojmë se procesi ka pasur shumë të meta. Sigurisht që do të shpresonim që dhoma e apelit të shihte se dënimi është shumë i rëndë dhe jo proporcional. Të paktën shpresojmë që të ketë një ulje të dënimit të tij.

Siç argumentoi gjyqtari në vendimin e tij, z. Haradinaj dhe kolegu i tij, Hysni Gucati kishin kërcënuar dëshmitarët e mbrojtur, duke publikuar informacione për ta dhe dokumente të mbrojtura të Dhomave të Specializuara. Madje, gjykatësi tha se ishin pikërisht veprimet e klientit tuaj, ato që provojnë pse një gjykatë e tillë duhet të jetë në Hagë.Toby Cadman: Argumentat tona mbrojtëse bazohen në faktin që zoti Haradinaj i ofroi dokumente medias për të treguar se prokurorët kishin bashkëpunuar në mënyrë të papërshtatshëm me zyrtarët serbë. Ajo që ai bëri ishte në interes të publikut. Ai në fakt ishte sinjalizues. Ne argumentuam se dokumentet sekrete, me të dhëna nga hetimi, nuk shkuan në ambientet e zyrës së tij rastësisht, pra kemi të bëjmë me një element kurthi, të ngritur qoftë nga prokuroria, apo nga vetë zyrtarët serbë.

Të gjitha këto çështje do të argumentohen në apel. Qëndrimi ynë është që nuk ka pasur prova të paraqitura në gjyq nga një dëshmitar i vetëm për frikësim apo kërcënim. Kështu këto akuza u hodhën poshtë plotësisht. Sigurisht themeli mbi të cilin gjykata arriti në përfundimin se ekzistonte një mjedis frikësimi mbështetej në prova të para 10 vjetëve. Ne sigurisht shpresojmë që dhoma e apelit ta verifikojë këtë.Sistemi i drejtësisë së Kosovës nuk ishte i fuqishëm për të gjykuar rastet e UÇK-së dhe për të mbrojtur dëshmitarët. Ky është problemi kryesor që ka pasur bashkësia ndërkombëtare me Kosovën. Si u përgjigjeni ju vlerësimeve se veprimet e zotit Haradinaj dëmtuan zyrtarë të tjerë të lartë që ishin në paraburgim, veçanërisht kërkesat e tyre për t’u mbrojtur në liri?

Toby Cadman: Kur krijoni një sistem gjyqësor ose krijoni një proces të tillë si ai që është ngritur në Hagë, duhet të shikoni natyrën e organizatës, të institucionit që supozohet të jetë një institucion i Republikës së Kosovës. Për fat të keq i tëri është ndërkombëtar, përveç emrit. Ai nuk po bën asgjë për të forcuar sistemin e drejtësisë penale të Kosovës. Çështja që ju theksoni me shumë të drejtë është se institucionet vendase nuk kanë mundur efektivisht t’i trajtojnë vetë disa nga këto çështje. Pra, ekzistonte ende bashkësia ndërkombëtare, por çdo proces duhet të synojë zhvillimin e sistemit të brendshëm kombëtar. Njëra nga çështjet që duhet të shikoni është se në mënyrë që një proces të konsiderohet legjitim nga njerëzit e Kosovës, natyrisht, ai nuk duhet të shënjestrojë vetëm njërën palë pa u marrë fare me asnjë autor krimesh që është serb. Kjo është një e metë thelbësore në këtë proces.