Bislimi: Targat nuk janë më pjesë e dialogut, por vendim që po zbatohet
Foto: Laura Hasani

Bislimi: Targat nuk janë më pjesë e dialogut, por vendim që po zbatohet

Aktuale November 01, 2022 - 18:05

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, thotë se kërkesa për zëvendësimin e targave ilegale të makinave, që Serbia i lëshon për qytetarët e Kosovës, nuk mund të shihet më si çështje e negociueshme në dialogun Kosovë-Serbi.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Bislimi thotë se pret që zbatimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e këtyre makinave me targa të Kosovës, të shkojë mirë, pa pasur nevojë për gjobitjen e qytetarëve.

Zbatimi i planit të Qeverisë ka nisur më 1 nëntor dhe do të bëhet në tri faza. E para përfshin qortimin e qytetarëve, e dyta shqiptimin e gjobave dhe e treta targat provuese. Nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, në qarkullim do të lejohen vetëm makinat me targa që i lëshon shteti i Kosovës - RKS.

Në intervistën dhënë REL-it, Bislimi flet edhe për një propozim franko-gjerman për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, ky propozim parasheh zgjidhjen e kontesteve në dy faza. Ai thotë se pala kosovare i ka bërë tashmë propozimet e veta në lidhje me të dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do t’ua transmetojë ato krerëve të Gjermanisë dhe Francës, në Berlin, më 3 nëntor.

Bislimi, po ashtu, flet për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Bislimi, të martën (1 nëntor) ka filluar qortimi ndaj qytetarëve që kanë të vendosura tabela ilegale, të lëshuara nga Serbia, në veri të Kosovës. Pas tri javësh janë paralajmëruar edhe gjoba. Ndërkohë, Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë - ka paralajmëruar rezistencë të ashpër nga gjoba e parë që do të shqiptohej. A mendoni se këto masa të reja do t’i bindin qytetarët në veri të Kosovës që t’i ndryshojnë targat?

Besnik Bislimi: Ne shpresojmë nuk do të ketë fare nevojë për ndarje të gjobave. Kjo në zhargonin publik po quhet qortim, por në fakt është një lloj informimi shtesë për këtë afatin prej 21 ditësh, gjatë të cilit qytetarëve u rekomandohet t’i konvertojnë targat e tyre nga ilegale në legale, do të shfrytëzohet në maksimum. Kapacitete administrative ka për t’i plotësuar këto kërkesa.

Ne nuk do të donim që asnjë qytetar të penalizohej, për shkak se ende gjendet brenda suazave të aktiviteteve jolegle, siç është puna e targave. Por, megjithatë, më duhet të them që deklaratat e Listës Serbe tregojnë edhe një herë se pse ka ndodhur ky problem. Deklaratat e Listës Serbe tregojnë se qytetarët nuk po mund të marrin vendime, por dikush tjetër po merr vendime për ta dhe po i detyron ata që ende të mbeten në sferën ilegale, për arsye se fakti që duhet të ketë këso kërcënime, tregon që qytetarët janë të interesuar të integrohen, janë të interesuar që t’i përdorin apo shfrytëzojnë incentivat(lehtësime) tatimore dhe doganore që i ka ofruar Qeveria e Kosovës, por një forcë më e madhe po i saboton dhe po i pengon ata në këtë drejtim.

Në intervistat që i kemi pasur rishtazi edhe me qytetarët serbë atje, nuk është vërejtur ndonjë gatishmëri e madhe. Ata thonë se mund të paguajnë edhe gjoba dhe nuk mendojnë t’i ndërrojnë targat. A shihni lëvizje pozitive pas këtyre masave fillestare?

Besnik Bislimi: Te deklaratat publike duhet të kemi kujdes si i konsumojnë ato, për arsye se ka njëfarë frikë që deklarimi publik nuk shihet vetëm si pozicionim apo si kritikë ndaj qëndrimeve eventuale të Listës Serbe apo strukturave ilegale, por shihet edhe si kërcënim për Serbinë, andaj edhe njerëzit kanë frikë nga konsekuencat e mundshme. Por, fakti që një pjesë e qytetarëve i kanë riregjistruar veturat e tyre me targa të Serbisë, dhe fakti që Serbia po detyrohet t’i kërcënojë dhe madje t’ua djegë veturat, tregon që nuk është ky disponimi (gatishmëria) i vërtetë te qytetarët. Sikur disponimi i vërtetë i qytetarëve do të ishte të paguanin gjobë dhe të mos i konvertonin tabelat, nuk do të kishte nevojë të digjeshin veturat e atyre që konvertohen.

 Shtetet e Bashkuara po insistojnë për shtyrje të plotë të afatit, siç po e quajnë. A po vazhdojnë diskutimet për këtë çështje dhe a ka gjasa që ky vendim të ndryshojë? ë

Besnik Bislimi: Nuk besoj që ka arsye që ky vendim të ndryshojë. SHBA-ja, si vend mik, ka dhënë sugjerimet e veta për Republikën e Kosovës me idenë që kjo do të ndihmonte futjen në legalitet të të gjithë poseduesve të veturave me targa ilegale.

Ajo që mediave si duket po u ikë, është pikënisja e interesimit të SHBA-së. Askush nuk e konteston legjitimitetin e vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe askush nuk e konteston faktin që këto targa janë ilegale dhe askush nuk e konteston faktin që këto targa nuk është dashur të ekzistojnë fare, maksimumi pas janarit të vitit 2018. Do të thotë, ekzistenca e tyre tregon që Serbia i ka shkelur marrëveshjet ndërkombëtare.Por, pikënisje për kërkesat për shtyrje të afatit vijnë kryesisht për dy arsye. E para, vijnë për shkak të një fushate të tmerrshme të dezinformimit dhe manipulimit të qytetarëve të komunitetit serb në veri të Kosovës, nga ana e Serbisë, dhe e dyta për shkak të ekspozimit të skajshëm të këtyre qytetarëve ndaj kërcënimeve që u vijnë nga strukturat paralele të Serbisë.


Meqë kjo përbën problem edhe për neve, ne nuk kemi filluar me masa ndëshkuese dhe as me konfiskim të tabelave që nga data 1 nëntor, do të thotë i jemi përgjigjur edhe brengës së miqve ndërkombëtarë, që qytetarët në njëfarë mënyre duhet të mbrohen nga vetëintervenimi prej Beogradit dhe që ne, krahas kësaj pamjeje që u servohet qytetarëve të komunitetit serb në veri, të tregojmë fytyrën e kundërt të Qeverisë së Kosovës, si një Qeveri, e cila në vend të kërcënimeve, u ofron incentiva tatimore, dhe në vend të konfiskimit të menjëhershëm, siç e parasheh rregullativa, ne u mundësojmë atyre në disa faza që megjithatë të kalojnë nga ilegaliteti në legalitet.

"Përfshirja e Lajçakut ka qenë gabim”

Megjithëse Qeveria e bëri shtyrjen (e afatit për riregjistrim) në një formë, prapë nga SHBA-ja u shpreh zhgënjim për mosshtyrje të plotë. Pse ka ardhur insistimi dhe pse pikërisht për 10 muaj? A ka pasur ndonjë garanci që do të ketë ndërkohë presion ndaj Serbisë për bindjen e qytetarëve për ndryshimin e targave?

Besnik Bislimi: Unë mendoj që termi zhgënjim në gjuhën shqipe ndoshta merr një konotacion pak më të ekzagjeruar se ajo që është menduar në qëndrimin atje. Kërkesa për shtyrje për 10 muaj ka ardhur si një lloj korrigjimi i kërkesës së Miroslav Lajçakut (të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun) që implementimi të bëhet për 12 muaj.

Ne, meqë vetëm kemi pasur një periudhë dymujore që e kemi zbatuar, ata kanë kërkuar që kësaj t’i shtohen edhe 10 muaj. Unë mendoj që kjo ka si bazë një interpretim të gabuar të zyrës së Lajçakut mbi implikimet që rrjedhin nga marrëveshja e vitit 2016.

Në vitin 2016 ka pasur një dakordim që nga janari i vitit 2017 deri në janar të vitit 2018 të hapet një dritare e ngjashme me dritaren e tanishme. Mirëpo, ajo dritare është hapur dhe është mbyllur. Do të thotë, ky provizion i marrëveshjes së vitit 2016 është konsumuar në tërësi dhe rrjedhimisht çfarëdo reference në atë marrëveshje është e pabazë. Por, duke qenë se jo të gjithë aktorët ndërkombëtarë posedojnë të gjitha informatat dhe të gjitha detajet e marrëveshjeve të kaluara, ka pasur një bindje që propozimi ia vlen të merret me seriozitet.Ne e kemi marrë me seriozitet këtë kërkesë, por kemi menduar që brenda këtyre parametrave, përgjigja më e mirë është që t’i përshkallëzojmë masat dhe jo të shkojmë me intervenim të menjëhershëm pas datës 1 nëntor, meqë në këtë mënyrë më së miri u përgjigjemi sfidave të cilat na kanë detyruar t’i shtyjmë masat deri më 21 prill.

Por, edhe vetë data e 21 prillit e ka një arsye meqë dakordimi i shtatorit të vitit 2021 ka qenë që Brukseli para datës 21 prill 2022 të ndihmojë të dyja palët në prodhimin e një marrëveshjeje të përhershme rreth targave dhe atë sipas standardeve dhe praktikave më të mira të BE-së.

Meqë Brukseli ka dështuar në arritjen e kësaj marrëveshjeje, tanimë ne mendojmë që diskutimi për targat nuk është më pjesë e procesit të dialogut në Bruksel. Është vetëm një fazë e implementimit të vendimeve të shtetit të Kosovës.

Prandaj, edhe në këtë kontekst mendoj që ka qenë gabim involvimi i z.Lajçak dhe dhënia e rekomandimeve nga ana e tij. Jo vetëm që ka qenë gabim, por ndoshta edhe ka prodhuar efekte anësore të gabueshme.

 Pra, po thoni që nuk ka gjasa që vendimi aktual të ndryshojë, qoftë edhe nga ndonjë presion i mundshëm i SHBA-së? A po vazhdojnë diskutimet privatisht?

Besnik Bislimi: Nuk ka nevojë tash të ketë diskutime për arsye se ne vendimin e kemi marrë ditën e premte. Sot është dita e parë kur po fillojnë të zbatohen këto masa. Tash ne nuk e dimë si do të zhvillohet situata deri me datën 21 prill. Prandaj, nuk mund të themi që tani se çfarë do të ndodhë më 19 apo 20 prill.

Por, ne besojmë fuqishëm që bashkësia ndërkombëtare tani do të bëjë presionin e nevojshëm te pala serbe që të pushojë së kërcënuari qytetarët e komunitetit serb në Kosovë, që të pushojë së manipuluari qytetarët e komunitetit serb në Kosovë dhe të fillojë që të punojë në frymën e integrimit të tyre, sepse kjo është në interes pikë së pari të vetë qytetarëve të komunitetit serb, është në interes të Kosovës, e me këtë edhe në interes të të gjithë rajonit. Dhe, mendoj se ky është edhe qëllimi i vetë partnerëve tanë ndërkombëtarë.

 Ndërkohë, Serbia ka thënë se e ka vënë në gjendje gatishmërie ushtrinë për shkak të, siç ka thënë, situatës në Kosovë. Si e shihni ju këtë?

Besnik Bislimi: Kjo është fytyra e vërtetë e Serbisë, të cilën e kemi parë edhe shumë herë në të kaluarën. Ju kujtohen edhe në shtator të vitit 2021 kur ishin inspektuar trupat ushtarake të Serbisë në kufi dhe kishin fluturuar tre aeroplanë MIG. Natyrisht se do të kishte qenë jo profesionale sikur të kishim pritur reagime ndryshe nga aparati shtetëror i (Aleksandar) Vuçiqit.

Por, mendoj që kjo më pak ka të bëjë me Kosovën dhe më shumë janë sinjale ndaj ndërkombëtarëve meqë Serbia në të kaluarën ka ndjekur një politikë të tillë të nxjerrjes së kompromiseve përmes kërcënimeve ndaj bashkësisë ndërkombëtare.

Plani franko-gjerman për zgjidhjen e kontesteve Kosovë-Serbi në dy faza

Të flasim pak për dialogun Kosovë-Serbi. Në javët e fundit është përmendur ai që po quhet plani franko-gjerman. Çfarë është ky plan? Çfarë thotë ky plan?

Besnik Bislimi: Ata që janë inkuadruar në debatin për planin franko-gjerman apo gjermano -francez, elementi i parë që e dinë është që ka pasur një dakordim që për elementet e planit të mos flitet publikisht në mënyrë që palët të mund të kontribuojnë tutje në avancimin e kësaj ideje.

Intervistën e plotë mund ta gjeni KËTU:

https://www.evropaelire.org/a/interviste-bislimi-targat-riregjistrimi-veri-/32110799.html