Kryetari i Leposaviqit: Zotërinjtë në Prishtinë ta kuptojnë realitetin, serbët s’pranojnë targa RKS

Kryetari i Leposaviqit: Zotërinjtë në Prishtinë ta kuptojnë realitetin, serbët s’pranojnë targa RKS

Aktuale November 01, 2022 - 14:13

Situata në Leposaviq është e qetë, por njerëzit janë të shqetësuar, thotë kryetari i Komunës, Zoran Todiq, duke shtuar se populli serb nuk paraqet kërcënim, por vendimet e Prishtinës zyrtare.

“Njerëzit janë të shqetësuar, prej më shumë se një viti jemi duke u përballur me tensione, me krizë, e gjitha në temën e targave, sepse serbët në vitet e kaluara kanë treguar qartë se nuk heqin dorë nga targat e lëshuara nga autoritetet e Republikës së Serbisë dhe se është e papranueshme që populli serb të riregjistrohet në targa të Kosovës”, ka thënë Todiqi.

Ai në një intervistë për Kosovo-Online i dërgoi mesazh Qeverisë së Kosovës se serbët nuk do të pranojnë targa RKS dhe se vendime të tilla mund ta destabilizojnë situatën në veri, transmeton Zeri.info.

“Zotërinjtë në Prishtinë duhet ta kuptojnë realitetin në terren, që është se populli serb nuk do ta pranojë këtë vendim, sepse e percepton veten si banor të Serbisë, gjë që e ka treguar edhe në të kaluarën. Vendimet e paarsyeshme të autoriteteve në Prishtinë mund të çojnë në destabilizim dhe tensione të reja në veri të Kosovës dhe Metohisë”, tha Todiqi.

Policia e Kosovës sot ka nisur masën e shqiptimit të fletë qortimit për shoferët që vozisin me vetura ilegale. /Zëri