Qortimi për targat, qytetarët të bindur se ka marrëveshje të fshehtë Qeveri - ndërkombëtarë

Qortimi për targat, qytetarët të bindur se ka marrëveshje të fshehtë Qeveri - ndërkombëtarë

Aktuale November 01, 2022 - 10:30

Vendimi i ri i Qeverisë për targat ilegale ka filluar së zbatuari në gjithë territorin e vendit.

Ndonëse vendimi u mor pa koordinim me aleatët, qytetarët janë të mendimit se ka pasur një marrëveshje të fshehtë ndërmjet Qeverisë dhe ndërkombëtarëve.

Haki Bejtullahu tha për Ekonominë Online se kryeministri Albin Kurti nuk do të merrte vendimin pa koordinim me të huajt.

Prandaj thotë se sipas të gjitha gjasave ekziston një marrëveshje e fshehtë.

“Aty punohet diçka pas shpine, mes Kurtit dhe ndërkombëtarëve, nuk ma merr mendja që pa koordinim Kurti e vazhdon atë të veten, diçka ka aty po ne nuk e dimë”.

“Për këtë nuk kemi çka të flasim ne qytetarët e thjeshtë, ato janë çështje të fshehta që mbahen nga populli”, tha ai.

Shaip Olqiqi mendon se vendimi i ri nuk është i keq, pasi sipas tij Qeveria nuk ka pasur rrugë tjetër.

“Vendimi i ri për targat nuk është edhe i keq për me treguar se nuk kemi ku të shkojmë më tej”, tha ai.

Edhe Shabanalia Kralani beson se lidhur me vendimin e ri kryeministri Kurti ka bërë marrëveshje të fshehtë me ndërkombëtarët, sepse sipas tij ne jemi të varur nga ta.

“Ndoshta pak vendim i ngutshëm, por nuk besoj që Kurti nuk e ka bërë këtë pa një marrëveshje të fshehte me ndërkombëtarët, duke ditur që ne varemi qind për qind nga ta”.

“Sa më shumë që lëshojmë pe, atyre u rritet egoja për me mundur ta anashkalojnë shtetin e Kosovës. Besoj që nuk duhet të lëshojmë pe ndaj tyre, mirëpo gjithmonë në marrëveshje më ndërkombëtarët”.

“Me vendimin e ri Qeveria nuk do të arrijë qëllimin, shumë i bindur jam duke ditur që 22 vjet që kanë filluar keq qeveritë e pas luftës dhe do të shkoj keq deri në finalizim e çështje së Kosovës me ndërkombëtarët, sepse nga fillimi kanë lëshuar pe. Kjo është pasojë që do të na përcjellë me vite”, tha ai.

Lorenc Kryeziu mendon se Kurti ka vepruar sipas Kushtetutës, mirëpo sipas tij duhet të dëgjoheshin ndërkombëtarët për të pritur, raporton EO-ja.

“Sa i përket Kushtetutës, Kurti ka të drejtë, po në këtë pozitë që jemi pa Amerikën nuk mund të bëjmë asgjë. Pa miqtë ndërkombëtarë unë jam veteran i UÇK-së, luftëtarët kanë dhënë gjak për liri, mirëpo pa ndihmën e Amerikës dhe Britanisë së Madhe edhe 100 mijë njerëz po të vdisnin në këtë vend nuk do të arrinim këtu ku jemi”.

“Amerikën duhet gjithmonë me përkrahim ku janë interesat tona dhe jo aty ku është në dëm tonin, në këtë rast nuk ka qenë në dëm tonin, 20 vjet është prit, pse mos të presim edhe 6 muaj”, tha ai.

Me të shënuar ora 00:00 kanë hyrë në fuqi masat e reja të vendosura nga Qeveria e Kosovës për targat ilegale, që ende qarkullojnë në disa pjesë të Republikës së Kosovës.

Policia e Kosovës ka bërë publike fletë qortimin që do të marrin vozitësit e automjeteve me targat ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” ose “ëA”.

Sipas Policisë, në rastin e shqiptimit të masës qortuese, nga vozitësit do të kërkohet që të njëjtët të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS.

Fletë qortimet, sipas Policisë, do të aplikohet nga zyrtarët policorë në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe në pikat e kalimit kufitar.