Qeveria e pranon se vendimi për targat s’ishte sukses i javës

Qeveria e pranon se vendimi për targat s’ishte sukses i javës

Aktuale October 31, 2022 - 11:00

Qeveria e Kosovës nuk e ka listuar vendimin e së premtes për targat si një prej ngjarjeve kryesore të javës që lamë pas.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka publikuar listën e pesë ngjarjeve kryesore të javës që lëmë pas, ku përmendet radhitja e Kosovës si e para në Ballkanin Perëndimor për përparimin në sundim të ligjit, transmeton Zeri.info.

Po ashtu përmendet edhe miratimi i projektbuxhetit për vitin 2023, Strategjia e Sigurisë 2022-2027, nënshkrimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Malit të Zi për rrugët Pejë – Rozhajë dhe Deçan - Plavë.

Ngjarja e pestë e radhitur si sukses është memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës.

Postimi i plotë i Kryeziut:

Pesë nga ngjarjet kryesore të javës që lëmë pas:

Kosova u rendit e para në Ballkanin Perëndimor për sundim të ligjit, kurse e dyta në botë për nga përmirësimi i arritur brenda vitit 2022, sipas “World Justice Project”. Sivjet shënuam vlerën më të lartë ndonjëherë në indeksin e këtij raporti.

U miratua në Qeveri projektbuxheti për vitin 2023. Në vlerë prej 3.2 miliardë euro, buxheti për vitin e ardhshëm do të vazhdojë mbështetjen për arsim, shëndetësi, bujqësi e siguri

Kuvendi miratoi Strategjinë e Sigurisë së Kosovës 2022-2027. I dyti që nga shpallja e pavarësisë, ky dokument identifikon rreziqet, kërcënimet, sfidat për sigurinë e vendit por edhe mundësitë, objektivat strategjike dhe vizionin për të ardhmen.

U nënshkrua marrëveshja me Malin e Zi për ndërtimin e rrugës Pejë-Rozhajë dhe rrugës Deçan-Plavë. Krahas rëndësisë ekonomike, këto dy projekte lidhin vendet e banuara shqiptare në dy anën e kufirit.

U nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar për vazhdimin e përkrahjes financiare në mbrojtje dhe promovimin e të drejtave të shqiptarëve, kultivimin e gjuhës, artit, kulturës e identitetit shqiptar në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.