“Termokosi” vazhdon shtrirjen e rrjetit, në “Mati 1” do të kyçen 121 objekte dhe 43 në “Arbëri”
Zëdhënësja e “Termokosit”, Afërdita Uka-Fejzullahu për Ekonominë Online ka bërë të ditur se kanë filluar punimet në lagjen “Arbëria” për shtrirjen e rrjetit për 43 objekte banesore.
Në këtë lagje, sipas saj, do të lidhen në rrjetin e “Teromokosit” 2 425 konsumatorë të rinj.
Ajo sqaroi se shtrirja e rrjetit do të bëhet edhe në lagjen “Mati 1”, ku do të kyçen në rrjet 121 objekte banesore.
Sipas saj, vitin e ardhshëm do të kyçen në rrjet edhe 62 objekte të tjera.
“Pjesa e punimeve që ka filluar ditë më parë për kyçje e ngrohjes në lagjen ‘Arbëria’, përkatësisht 43 objekte banesore të pjesës së poshtme të lagjes ‘Arbëria’ janë pjesë e projektit për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohësit, i cili ka filluar vitin e kaluar. Tashmë është shtrirë si rrjet i ngrohjes te lagjja ‘Mati 1’, përkatësisht rruga ‘Muharrem Fejza’ dhe rrugica përreth saj, ku do të kyçen 121 objekte banesore.
Pjesa tjetër e projektit vazhdon me kyçjen e ngrohjes të lagjes ‘Arbëria’, me 2 425 konsumatorë të rinj. Ndërsa pjesa tjetër e punimeve do të vazhdojë vitin e ardhshëm edhe me kyçjen e 62 objekteve banesore në lagjen në aftësi të parkut të qytetit. Kushtet atmosferike që po mbretërojnë këto ditë kanë lejuar që kjo pjesë e punimeve të zhvillohet pa pengesa”.