Ligji i pagave mund të përfundojë në Kushtetuese, nëse drafti aktual miratohet

Ligji i pagave mund të përfundojë në Kushtetuese, nëse drafti aktual miratohet

Aktuale October 09, 2022 - 08:46

Nëse ligji i pagave, bëhet i plotfuqishëm nga Kuvendi i Kosovës në këtë format, mund të shkojë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim, pasi me koeficientin aktual, Gjyqtarëve dhe Prokurorëve u zbritet paga.

Megjithatë, sipas njohësve të kësaj fushe nuk është vetëm kjo çështja që ngjall reagimin e tyre.

Ish-avokati i Popullit, Hilmi Jashari, thotë për Ekoinomia Online se aktvendimi i Kushtetueses përcakton qartë se ku duhet të ketë intervenim për Ligjin e Pagave.

“Po i referohet aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila në mënyrë të qartë ka përcaktuar nevojat në intervenimin që duhet ta bëjë Qeveria në rishikimin e ligjit për të qenë në pajtueshmëri me Kushtetutën. Sipas vlerësimit tim, secila Qeveri duhet të fokusohej në vërejtjet që ka dhënë Kushtetuesja sepse ato janë të qarta, të bëjë dispozitat në pajtueshmëri me Kushtetutën siç ka rekomanduar kjo e fundit, dhe do duhej të ishte gjithçka në rregull. Çdo gjë që tejkalon përkufizimet që ka bërë Kushtetuesja, mendoj se mund të jetë gabim dhe prapë të subjekt i një shqyrtimi eventual”, u shpreh ai.

Njëjtë mendon edhe avokati, Yll Zekaj. Ai thotë për Ekonomia Online, se çdo prekje e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve në drejtim të zvogëlimit të tyre, është drejtpërdrejtë cenim i pavarësisë së sistemit gjyqësor.

Sipas tij, të njëjtën e ka dhënë edhe Komisioni i Venecias për shtetet që kanë punuar në hartimin e Ligjit të Pagave.

“Çdo prekje e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve në drejtim të zvogëlimit të tyre, është drejtpërdrejtë cenim i pavarësisë së sistemit gjyqësor. Këtë e kanë thënë dhjetëra herë me opinione Komisioni i Venecias në shtetet që paraprakisht kanë ndërmarrur masa të tilla. Ka pasur shtete të cilat kanë marrë veprime të tilla por pastaj është dashur që t’i kompensojnë të gjithë ata prokurorë dhe gjyqtarë të cilëve u është ulur paga përmes ligjeve të cilët i ka sponsorizuar Qeveria e që i ka aprovuar legjislativi, pasi që kjo bie ndesh me parimin e pavarësinë e sistemit gjyqësor”, ka thënë Zekaj, teksa ka kërkuar reflektim të Qeverisë në këtë drejtim, pasi siç thotë ai që me draftligjin i cili është në publik, nuk i përmbush kërkesat që i ka adresuar Gjykata Kushtetuese”.

Kritika ka edhe për gjuhën që po përdorët ndërmjet Qeverisë dhe sistemit gjyqësor, për të cilën thotë se mund të jetë edhe tentim për ndikim te gjyqësori.

“Unë kam adresuar edhe kritika rreth asaj te gjuhës së ashpër ndërmejet Qeverisë dhe sistemit gjyqësor, për arsye se Qeveria nuk mund të bëjë kritika të tilla në drejtim të sistemit gjyqësor, për arsye se perceptimi është që kjo është një ndikim te gjyqësori. Qeveria duhet të krijojë politika për zhvillimin e gjyqësorit përmes ligjeve por asnjëherë në aspekt të kritikave publike në drejtim të sistemit gjyqësor”, u shpreh Zeka.