Masat e Qeverisë mirëpriten nga njohës të energjisë

Masat e Qeverisë mirëpriten nga njohës të energjisë

Aktuale October 07, 2022 - 23:22

Qytetarët po përballen me ngritje të çmimeve në shumë produkte e sektorë. E në kohën e kur dimri po afron, një nga to është edhe ngritja e çmimit të peletit.

“Çmimet e peletit sivjet kanë lëvizur aq shumë që as ne nuk e kemi pritur. Ka qenë 200 euro tash është 400 euro. Ne për momentin nuk kemi çmim se jemi me porosi por çmimet varen nga ato se sa janë çmimet e drunjve", tha  Kadri Muqolli- prodhues i peletit

Edhe çmimet e drunjve janë të larta krahasuar me vitin e kaluar.

Edhe çmimet e drunjve sivjet janë me të shtrenjta. Në një nga pikat shitëse në vend, aktualisht çmimi i një metër dru është deri ne 80 euro.

Për ta zbutur krizën energjetike ministria e Ekonomisë ndau 6 milionë euro për subvencionimin e pajisjeve si kaldajat me biomasë (dru, pelet, briket) pompat termike e kondicionerët efiçientë.

Por edhe pasjet efiçente kanë pësuar ngritje të çmimit krahasuar me vitin paraprak.

“Pompat termike varësisht për një shtëpi deri në 200m , sillen 4000-4500 euro. Kurse me pelet sillen 1700-2300 euro varet. Ndërsa me dru 1000-1300 euro. Për një kaldaje sillet diku 800 euro çmimi", tha Synim Hasani- tregtar

Me gjithë atë masat e Qeverisë po mirëpriten nga njohës të sektorit energjetik.

“Këto masa ndikojnë jashtëzakonisht mire dhe do duhej qe Qeveria te vazhdoi me subvencionim të këtyre masave varësisht nga niveli i kërkesave nga qytetaret. Do duhej te vazhdohet gjatë  këtij viti edhe tjetrin me subvencione dhe të rritet ky fond i efiçiences, të shtohet numri i produkteve të cilat ndikojnë qofte ne prodhimin e energjisë te ripërtërishme apo në ulje të konsumit të energjisë", tha Lulzim Syla- ekspert I energjisë

Evropa pritet të përballet me një dimër të vështirë sa i përket energjisë elektrike ku ndikim është paralajmëruar të ketë edhe në Kosovë./rtk