Tahiri [AAK]: S’e votojmë asnjë ligj pa ua dhënë pagat mësimdhënësve
Foto: Laura Hasani

Tahiri [AAK]: S’e votojmë asnjë ligj pa ua dhënë pagat mësimdhënësve

Aktuale October 07, 2022 - 12:02

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka lajmëruar se s’do të votojnë asnjë ligj në Kuvendin e Kosovës, përfshirë edhe marrëveshjet ndërkombëtare, nëse Qeveria e Kosovës nuk i paguan mësimdhënësit për muajin shtator sa ata ishin në grevë.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se me këtë qasje të Qeverisë janë të detyruar të ndërmarrin këtë masë.

“Është e pamundur që kjo Qeveri të sillet me kaq lehtësi ndaj një situate që është e jashtëzakonshme. Janë 30 mijë njerëz që presin m’i marrë pagat e ne po flasim për marrëveshje ndërkombëtare. Mosreflektimi i Qeverisë dhe neglizhenca ndaj situatës me sindikalistët na detyron që të mos votojmë asnjë ligj në Kuvendin e Kosovës derisa Qeveria t’i paguajë pagat për mësimdhënësit”, tha Tahiri.

Në Kuvendin e Kosovës ka filluar seanca, ku pritet të diskutohet për situatën e krijuar pas grevës së sindikalistëve dhe mosdhënien e pagave për mësimdhënësit grevistë nga ana e Qeverisë. Për këtë arsye sot është ftuar në interpelancë ministri Hekuran Murati. /eo