PDK-ja akuzon Qeverinë për promovim të Kosovës si tokë ku lindën manastiret ortodokse serbe
Foto: Laura Hasani

PDK-ja akuzon Qeverinë për promovim të Kosovës si tokë ku lindën manastiret ortodokse serbe

Aktuale October 07, 2022 - 11:56

Kuvendi i Kosovës ka nisur punimet e seancës së sotme plenare, ndërkaq shefi i Grupit parlamentar i Partisë Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka sponsorizuar një artikull në një revistë franceze ku thotë që Kosova është vend ku kanë lindur manastiret ortodokse serbe.

Ai tha se për këtë fillimisht u informua nga një mërgimtar në Francë.

“Dje kam pranuar një telefonatë nga një bashkatdhetar yni në Francë ku më thotë se si është e mundur që Qeveria e Kosovës ta promovojë Kosovën si vend ku lindën manastiret madhështore ortodokse serbe. Për mua ishte shumë e çuditshme. I thashë nëse e ka ngatërruar me Qeverinë e Serbisë, sepse nuk besoj që Qeveria e Kosovës e promovon Kosovën si një vend ku lindën manastiret madhështore ortodokse serbe”, u shpreh Tahiri në Kuvend, shkruan EO.

Ai tha se ky artikull u sponsorizua nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në revistën franceze “Petit Fute”.

“Në mes të tjerash, artikulli thotë: ‘Ajo gjithashtu ka qenë një tokë bizantine ku lindën manastiret e saj madhështore ortodokse serbe’. Kolegë, kjo është një doktrinë e shtetit serb. Një promovim i artikullit të tillë nga Qeveria e Kosovës, unë s’e di çka ka me thënë më tutje Vuçiqi, ose Jeremiqi, ose Tadiqi. A e shihni se çfarë argumente u jepni ju kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës që ta ngritin nesër në Këshill të Sigurimit? Një artikull i tillë sponsorizohet nga buxheti i taksapaguesve kosovarë”, deklaroi deputeti i PDK-së.

Tahiri tha se kjo është skandaloze dhe duhet të japë dorëheqje ministrja.

Shefi i deputetëve të PDK-së foli edhe për videon e Lëvizjes Vetëvendosje të publikuar ditë më parë.

Ai tha se videot e tilla janë jorgan i vogël për t’i mbuluar dështimet e Qeverisë.

“Po kërkoni bashkëpunimin tonë po përmes videomesazheve po i tregoni qytetarëve qysh opozita po e lufton këtë vend. Ne deri sot në iniciativat e rëndësishme iu kemi përkrahur dhe mbështetur. Mos me qenë ne, asnjë marrëveshje ndërkombëtare nuk e kishit kaluar”, tha Tahiri.

“Sot nuk do të votojmë që këto projektligje të hyjnë në rendin e ditës dhe besoj po ashtu se ministri i Financave të reflektojë në dy-tri ditët në vazhdim që të dalin pagat e mësimdhënësve dhe pastaj të vazhdojmë të votojmë në normalitet”, tha ai.

Më poshtë ju sjellim fotografitë e artikullit që Tahiri ua dha deputetëve: 

Image
Image
Image