Komuna e Drenasit paditet për ndalimin e pagave të mësimdhënësve, Lladrovci i shqetësuar

Komuna e Drenasit paditet për ndalimin e pagave të mësimdhënësve, Lladrovci i shqetësuar

Aktuale October 07, 2022 - 11:48

Kreu i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka treguar se tashmë në adresë të komunës që drejton ka shkuar edhe padia e parë për mosekzekutimin e pagave të arsimtarëve.

Ai ka thënë se rasti konkret të cilin e ka bërë edhe publik është rasti i një lehone, të cilës nuk i është ekzekutuar paga.

“Sapo u njoftova se filluan paditë e para kundër Komunës së Drenasit me rastin e ndalesës së pagave ndaj mësimdhënësve, edhe pse ndalesa është bërë nga Thesari i Ministrisë së Financave, mirëpo mësimdhënësit kanë kontrata të lidhura me Komunën, e aq më keq, në rastin konkret, është ndaluar paga e një lehone”, shkroi Lladrovci.

Ai tha se është i shqetësuar nga një situatë e tillë dhe bëri thirrje ndaj Qeverisë që të gjejë zgjidhje për ekzekutimin e pagave.

“Unë si kryetar komune po e përcjell me mjaft shqetësim një situatë të tillë, në të njëjtën kohë i bëj thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës, rrjedhimisht Ministrisë së Financave, që të gjejë zgjidhje dhe të bëjë ekzekutimin e pagave për të gjithë mësimdhënësit, në të kundërtën do të kemi ngarkim të sistemit gjyqësor, rrjedhimisht dëmtim të buxhetit nga shpenzimet procedurale nëpër gjykata”, përfundoi Lladrovci. /eo

Image