Osmani i kërkon Islandës mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në KE

Osmani i kërkon Islandës mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në KE

Aktuale October 07, 2022 - 11:22

Presidentja Vjosa Osmani, gjatë pjesëmarrjes në Samitin inaugurues të Komunitetit Politik Evropian në Pragë, ka takuar kryeministren e Islandës, Katrin Jakobsdottir, me të cilën ka diskutuar për marrëdhëniet bilaterale, anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, përfshirjen në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, si dhe forcimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, bazuar në vlera të përbashkëta.

Sipas njoftimit për media, Osmani falënderoi Jakobsdottirin për mbështetjen që Islanda i ka dhënë Kosovës, në veçanti në funksion të konsolidimit ndërkombëtar.

Presidentja kërkoi vazhdimin e mbështetjes islandeze edhe sa i përket anëtarësimit në Këshill të Evropës, si dhe organizata të tjera ndërkombëtare, duke qenë se nga nëntori Islanda e merr kryesimin e Këshillit të Evropës.

“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është domosdoshmëri për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të Kosovës, pa dallim përkatësie”, tha Osmani.

Dyshja bisedoi edhe për rrugën euroatlantike të Kosovës, përkushtimin e institucioneve të vendit për të vazhduar punën në reforma të rëndësishme në të gjitha fushat, si dhe nevojën urgjente të përfundimit të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. /Zëri

Image

Image

 

Image