Abazi për Kusari-Lilën: Hendikep, kryesues të GP-së kemi një njeri që s’është në LVV
Foto: Laura Hasani

Abazi për Kusari-Lilën: Hendikep, kryesues të GP-së kemi një njeri që s’është në LVV

Aktuale October 07, 2022 - 11:19

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka mbajtur një konferencë për media, ku ndër të tjera foli edhe për, siç u shpreh ai, diskutimin për mveshje e etiketim të deputetit me analfabetizëm dhe mosangazhim.

Ai tha se ka të bëjë me skenarë të cilët paraqiten në seancat plenare, ose edhe siç tha ai gjatë debateve të cilat nuk lënë hapësirë të mjaftueshme që deputetët të angazhohen.

“Ajo që më ka bërë ta vendos në listën e tri çështjeve që do të flas sot është pikërisht një diskutim për mveshje e etiketim të deputetit me analfabetizëm dhe mosangazhim. Ajo që u them me bindje të plotë është se nuk ka të bëjë kjo fare me mosangazhim, nuk ka të bëjë fare me mospërgatitje, por ka të bëjë me skenarë të cilët paraqiten në seancat plenare ose edhe gjatë debateve të cilat nuk lënë hapësirë të mjaftueshme që deputetët të angazhohen.

Dhe kjo ndryshon rrënjësisht nga analiza që bëhet se deputetët nuk janë aty për t’u paraqitur në foltore, e pavërtetë, absolutisht e pavërtetë, unë mendoj që shumica e deputetëve kanë gatishmëri që të përgatiten, por janë dy probleme thelbësore përbrenda këtij skenari, sepse normalisht që skenarët duhet të ekzistojnë për ta çuar punën përpara, një është ndarja, pra se si bëhet ndarja se si bëhet në komisione parlamentare, që shumica e deputetëve vendosen nëpër pika të ndryshme të komisioneve dhe janë të panjoftuar me substancën, përmbajtjen që diskutohet në komisione parlamentare, rrjedhimisht janë jashtë idesë që ata mund të jenë të përgatitur për të diskutuar”, tha ai.

Abazi u shpreh se sa i përket Grupit Parlamentar të LVV-së, është një hendikep i madh, sepse tha se është kryesuese një njeri që nuk është nga LVV-ja, duke iu referuar Mimoza Kusari-Lilës, përcjell Klankosova.tv.

“Ekziston një shkëputje e hallkës së debatit dhe diskutimit përmbajtjesor për të gjithë deputetët për atë se çfarë ndodh dhe e dyta në rastin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ne kemi një hendikep të madh sepse kemi kryesuese të Grupit Parlamentar një njeri që nuk vjen nga grupi parlamentar yni dhe as nuk është krijuar dhe as s’është tentuar të krijohet kohezion i brendshëm, për të arritur që deputetët ta japin më të mirën dhe të ndërtojnë pronësinë mbi proceset e Parlamentit nëpër të cilat kalojmë. Unë kam qenë i qartë, krejt këto që po i them sot e ato që do t’i them edhe në vazhdimësi i kam adresuar tek institucionet, tek hierarkia edhe partiake edhe hierarkia institucionale dhe mendoj që është koha e fundit që t’i kthehemi përmbajtjes dhe debatit përmbajtjesor e jo idesë se deputeti është makineri votuese që duhet të ngrejë dorën për të votuar”, ka thënë Abazi. /klankosova