Abazi: Liberalizimi dhe anëtarësimi në KE s’mund të jenë peng i dialogut
Foto: Laura Hasani

Abazi: Liberalizimi dhe anëtarësimi në KE s’mund të jenë peng i dialogut

Aktuale October 07, 2022 - 10:34

Deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, ka dalë i vetëm në një konferencë për media në Kuvend për, siç tha, t’i ndihmuar jetës parlamentare në vend.

Abazi tha se ka qëndruar një javë në Bruksel, ku pas takimeve të zhvilluara atje ka ardhur në përfundimin se kjo periudhë është kritike për Kosovën për marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Jemi në një moment kritik të alarmit me marrëdhëniet ndërkombëtare, e patë edhe dje ne Komunitetin Politik në Pragë. Janë dy çështje jashtëzakonisht të rëndësishme, agresioni në Ukrainë dhe çështja e gazit, që na prekin edhe neve. Ky alarm duhet të merret seriozisht nga institucionet tona”.

Sipas tij, emisari special i dialogut, Miroslav Lajçak, po vazhdon ta mbajë agjendën integruese të Kosovës peng të dialogut dhe në këtë kuptim thotë se Serbia ka vazhduar ta përdorë dialogun si formë të shantazhit.

“Nga një javë qëndrimi në Bruksel, mund t’ju them se ka ardhur momenti kritik, është absolutisht kritik që dialogu të ndahet nga proceset integruese. Përkundër marrëveshjes Rusi-Serbi, prapëseprapë ka mirëkuptim për Serbinë nga disa qarqe të Bashkimit Evropian dhe ky është problem në vete. Lajçaku ka vazhduar ta mbajë agjendën tonë integruese peng të dialogut dhe në këtë kuptim Serbia ka vazhduar ta përdorë dialogun si formë të shantazhit. Liberalizimi i vizave, anëtarësimi në Këshillit të Evropës s’mund të jetë peng i dialogut”, potencoi deputeti i LVV-së, Haki Abazi. /express