Stano arsyeton vonesën në zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi për energjinë

Stano arsyeton vonesën në zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi për energjinë

Aktuale October 07, 2022 - 10:28

Brenda dy muajve do të duhej të zbatohej Udhërrëfyesi për marrëveshjen për energjinë, arritur në kuadër të procesit të dialogut Kosovë - Serbi.

Një dakordim i tillë ka ndodhur më 21 qershor 2022. Por kompania “Elektrosever” ka shkelur të gjitha afatet të përcaktuara me këtë udhërrëfyes.

Në lidhje me këtë çështje, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, më 5 tetor, pasi raportoi në Komisionin Parlamentar për Integrime, paralajmëroi se për shkak të mospërmbushjes së obligimeve nga Marrëveshja e Brukselit, kompanisë “Elektrosever” mund t’i merret licenca.

Ai tha se Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka dy javë kohë që të diskutojë me palët lidhur me Marrëveshjen për energjinë, e arritur me Serbinë për furnizimin e veriut me rrymë.

“ZRRE-ja ka dy javë që të diskutojë me palët që të shikojë se a ka zgjidhje apo duhet të merret vendimi për suspendimin e licencës”, tha Bislimi.

“Ka mospërmbushje nga ‘Elektrosever’-i dhe ka hezitime nga ana e KEDS-it dhe duhet të qartësohen brenda 10 ditësh”.

Në lidhje me këtë çështje, RTKlive ka pyetur Bashkimin Evropian, si ndërmjetësues, se si do të veprojë në këtë rast.

Peter Stano, zëdhënës kryesor i shefit për Politikë të Jashtme e të Sigurisë, Joseph Borrel, deklaron se: “Bashkimi Evropian po ndjek nga afër aktivitetet e të dyja palëve sa i përket Udhërrëfyesit për energjinë, në kapacitetin e vet si lehtësues dhe garantues i marrëveshjeve të dialogut”.

“KOSTT-i, KEDS-i dhe ‘Elektrosever’-i janë në komunikim të rregullt”, thotë Stano për RTKlive. “Ata raportojnë gjithashtu rregullisht në BE dhe SHBA”.

Sa i përket vonesës për zbatim të dakordimit mes palëve në Bruksel, Stano deklaron se kjo po ndodh për shkak të aspekteve teknike, të cilat “BE-ja u ka kërkuar palëve t’i adresojnë pa vonesë”.

“BE-ja po ofron udhëzime se si të adresohen çështjet e hapura”, thotë Stano.

Në pyetjen nëse BE-ja ka ndonjë masë sanksionuese ndaj palëve që nuk zbatojnë marrëveshjet e dakorduara, Stano deklaron se “BE-ja po lehtëson dialogun ndërmjet palëve, por nuk është arbitër”.

“Përgjegjësia përfundimtare për zbatimin e suksesshëm të marrëveshjeve për udhërrëfyesin për energjinë u takon palëve”.

Satno thotë se Brukseli është duke punuar me të gjitha palët e përfshira për të gjetur një mënyrë, që do të çonte në kapërcimin e vonesës aktuale, në mënyrë që të zbatohet marrëveshja.

Më 21 qershor, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë kanë arritur të pajtueshmëri për zbatimin e Marrëveshjes ekzistuese për energjinë.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për këtë dialog, Mirosllav Lajçak, ka zhvilluar fillimisht takime bilaterale me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, i cili është shef i delegacionit të Kosovës për dialog, e më pas takim të njëjtë edhe me shefin e delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq.

Qytetarët e komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok - kryesisht serbë - nuk paguajnë për rrymën e shpenzuar tash e më shumë se dy dekada.

Sipas dakordimit, Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE) do të lëshojë licencë për kompaninë serbe, “Drustvo Elektrosever D.O.O.” dhe do të sigurojë se puna e kompanisë do të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës.

Në dokument thuhet që brenda shtatë ditëve të lëshimit të licencës, “Elektrosever”-i do t’i ofrojë Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike - KEDS dhe Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë - KOSTT të dhënat më të fundit për konsumatorët, nën ndërmjetësim të BE-në.

“Pas 10 ditëve të lëshimit të licencës për furnizim, ‘Elektrosever’-i do të nënshkruajë marrëveshjet e nevojshme teknike me KOSTT-in dhe KEDS-in, në mënyrë që të operojë në tregun e Kosovës për energji”, thuhet në një prej pikave të udhërrëfyesit.

Brenda 15 ditëve të nënshkrimit të marrëveshjeve të nevojshme me KOSTT-in, “Elektrosever”-i do të pajisjet me kodet identifikuese, ashtu që të kryejë aktivitetet që i parasheh licenca.

Më pas, në periudhë 30-ditore KEDS-i dhe KOSTT-i (nën ndërmjetësim të BE-së, nëse ka nevojë) do të kenë qasje te nënstacioni i Vallaçit, si dhe në infrastrukturën tjetër për shpërndarje.

Në pikën e gjashtë të udhërrëfyesit përmendet që brenda 45 ditëve të sigurimit të licencës, KOSTT-i dhe KEDS-i, në konsultim me “Elektrosever”-in do t’ia dorëzojnë ZRRE-së një plan investimi, kostot e mirëmbajtjes, si dhe humbjet në rrjet, bazuar në analizim të infrastrukturës ekzistuese.

Pas 21 ditësh, ZRRE-ja më pas do të miratojë këto plane në parim.

Në rast të mosveprimit sipas kushteve të caktuara pas 100 ditëve të lëshimit të licencës, ZRRE-ja mund të vendosë për pezullim ose tërheqje të licencës për “Elektrosever”-in, ndonëse para këtij vendimi duhet të ketë konsultime me palët, nën ndërmjetësim të BE-së, brenda një afati kohor prej 15 ditësh.

BE-ja më pas do të ofrojë opinion të ekspertëve, nëse kërkohet të paktën prej ndonjërës palë.

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen për çështjen e energjetikës gati një dekadë më parë, përkatësisht në shtator të vitit 2013.

Nënshkruesit e marrëveshjes kanë qenë ish-kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.

Kjo marrëveshje, e arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, parasheh që përveç Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike - KEDS, në Kosovë të licencohet edhe një kompani tjetër për distribuimin e rrymës.

Marrëveshja është konfirmuar në gusht të vitit 2015 nga ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por nuk është zbatuar asnjëherë.