Çitaku: BE-ja s’ka bash asnjë arsyetim valid për mosliberalizimin e vizave

Çitaku: BE-ja s’ka bash asnjë arsyetim valid për mosliberalizimin e vizave

Aktuale October 07, 2022 - 09:55

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka hedhur kritika ndaj Bashkimit Evropian në lidhje me mosliberalizimin e vizave për Kosovën.

Sipas saj, që nga miratimi i demarkacionit me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës, BE-ja nuk e ka asnjë arsyetim të vlefshëm për të mos liberalizuar vizat për qytetarët e Kosovës.

“Që nga dita e miratimit të demarkacionit me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës (vendim ky i vonuar për shkak të gazit lotsjellës), Bashkimi Evropian nuk e ka asnjë arsyetim valid për të mos liberalizuar vizat për qytetarët e Kosovës. Ama bash asnjë”, tha Çitaku në profilin e saj në Facebook, raporton Zeri.info.

Sipas saj, qytetarë nga Venezuela e deri në Tajvan udhëtojnë pa viza në Zonën Schengen.

“Çdo zhagitje e ka cenuar vetë kredibilitetin e BE-së në Kosovë. BE-ja duhet t’i japë fund izolimit të padrejtë të qytetarëve të Kosovës”, përfundoi Çitaku.

Kujtojmë se më 13 tetor do të diskutohet për liberalizimin e vizave për Kosovën nga Presidenca çeke e BE-së. /Zëri