Nga Qeveria e përsëritin: Paga vetëm mësimdhënësve që mbajtën mësim

Nga Qeveria e përsëritin: Paga vetëm mësimdhënësve që mbajtën mësim

Aktuale October 04, 2022 - 11:05

Nga Qeveria e kanë përsëritur edhe sot se nuk do të ketë paga të shtatorit për mësimdhënësit grevistë.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se do të respektohet parimi “Pagë për punë”, ndërsa përsëriti se mësimdhënësit që mbajtën mësim do të kompensohen, transmeton Zeri.info.

“Parimi ‘pagë për punë’ do të respektohet. Mësimdhënësit që kanë mbajtur mësim do të kompensohen”, shkroi Kryeziu në Facebook, ku shpërndau shkrimin e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila fajësoi komunat për mungesë të pagave për mësimdhënësit.

“Ndonëse komunat janë përgjegjëse për organizimin e arsimit parauniversitar, janë punëdhënëse dhe e kanë obligim të raportojnë çdo muaj në Departamentin e Thesarit në Ministri të Financave, një gjë të tillë nuk e kanë bërë”, shkroi Nagavci.

Ndryshe, edhe dje zëdhënësi ka konfirmuar për “Zërin” se pagat kanë dalë vetëm për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë.

“Për muajin shtator pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në Ligjin për greva”, tha Kryeziu. /Zëri