Jasharaj: Shërbyesve civilë grevistë u dalin pagat, mësimdhënësve jo
Foto: Laura Hasani

Jasharaj: Shërbyesve civilë grevistë u dalin pagat, mësimdhënësve jo

Aktuale October 03, 2022 - 11:29

Mësimdhënësit akoma e nuk kanë pranuar në llogaritë e tyre bankare pagën për muajin shtator.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrrahman Jasharaj, ka konfirmuar se mësimdhënësve akoma nuk u janë procesuar pagat, ndërsa shërbyesve civilë, të cilët ishin në grevë bashkë me mësimdhënësit, tashmë u kanë dalë mjetet në llogaritë e tyre bankare.

“Kam informacion se fatkeqësisht që deri tani pagat nuk janë procesuar në sistemin arsimor për grevistët, por kemi informacione se pagat janë procesuar për grevistët nga shërbyesit civilë”, ka thënë Jasharaj për Zeri.info.

Ai ka paralajmëruar se do të presin deri më 5 tetor që edhe mësimdhënësve t’u dalin mjetet.

“Uroj që deri më 5 tetor t’u dalin mjetet, kur është kufiri ligjor për procedim të pagave, në të kundërtën do të kemi një situatë të rënduar”, u shpreh Jasharaj.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, deklaroi ditë më parë se do të veprohet sipas ligjit për sa u përket pagave për grevistët. /Zëri