Katër mijë e 100 studentë të rinj në UP, të hënën nis viti akademik  

Katër mijë e 100 studentë të rinj në UP, të hënën nis viti akademik  

Aktuale October 01, 2022 - 12:28

Në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” më 3 tetor do të nisë viti i ri akademik 2022/23. Mbi 4 mijë e 100 studentë të rinj i janë bashkuar UP-së këtë vit, në dhjetëra programe studimore, të ofruara në 14 njësi akademike.

Në njoftimin e UP-së thuhet se mbi 45% të studentëve të pranuar në UP në vitin e parë të studimeve themelore kanë notën mesatare 5.0 gjatë shkollës së mesme.

“Tetori, përveç që shënon fillimin e vitit të ri akademik në vendin tonë, është edhe pjesë e pashlyeshme e historisë, falë ngjarjeve të vitit 1997, kur më 1 tetor të atij viti, UP-ja u shfaq në skenë si aktori kryesor në kthesën më të madhe historike për Kosovën.

Sikurse para një çerek shekulli, ashtu edhe sot, UP-ja është orientuese dhe baza kryesore e përgatitjes së intelektualëve të vendit tonë. E thëna e para 25 vjetëve e rektorit Ejup Statovci se ‘Universiteti është me studentët dhe studentët janë të universitetit’ vazhdon të jetë udhëzuese e ideologjisë së UP-së”, thuhet në raport.

Aktualisht në UP janë në proces edhe konkursi për pranimin e studentëve në studimet Master dhe në ato të Doktoratës. /Zëri